Bota

Amerikanët vrasin njeriun kyç të ISIS-it në Somali!

Forcat e operacioneve speciale amerikane vranë një zyrtar të lartë të grupit të Shtetit Islamik dhe 10 operativë të tjerë terroristë në Somalinë e largët veriore. Në shënjestër ishte Bilal al-Sudani, një ndihmës kryesor financiar për organizatën terroriste globale, në një kompleks shpellash malore. Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin:

Ky veprim i lë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre më të sigurt e pasqyron angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur amerikanët nga kërcënimi i terrorizmit brenda dhe jashtë vendit.

Javën e kaluar, presidenti Joe Biden u informua për misionin e propozuar, i cili u krye pas muajsh planifikimi. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës Biden që informuan gazetarët mbi operacionin në kushte anonimiteti, presidenti dha miratimin përfundimtar për të kryer operacionin këtë javë pas rekomandimit të sekretarit Austin dhe Shefit të Shtatëmadhorisë, Gjeneral Mark Milley.

Al-Sudani, i cili vazhdimisht ka qenë në radarin e zyrtarëve të Inteligjencës amerikane luajti rol kyç në ndihmën për financimin e operacioneve të ISIS-it në Afrikë, si dhe degën terroriste ISIS-K që vepron në Afganistan.

Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Thesarit tha se al-Sudani ka bashkëpunuar ngushtë me një tjetër operativ të IS-it, Abdella Hussein Abadiga, i cili rekrutonte të rinj në Afrikën e Jugut dhe i dërgonte në një kamp trajnimi për armë.

Teksa kontrollonte dy xhami në Afrikën e Jugut, Abadigga përdori pozicionin e tij për të zhvatur para’ nga anëtarët e xhamive. Sipas Thesarit, Al-Sudani e konsideronte Abadiggan mbështetës të besueshëm, i cili mund të ndihmonte mbështetësit e IS-it në Afrikën e Jugut të organizohen më mirë e të rekrutojnë anëtarë të rinj.

Asnjë civil nuk u plagos apo u vra në operacion. Një amerikan i përfshirë u kafshua nga një qen ushtarak, por nuk u plagos rëndë.

Zyrtarët amerikanë dhanë detaje të pakta në lidhje me mënyrën si u krye operacioni apo rrethanat rreth vrasjes së al-Sudanit.