Bota

Amerikë, gruaja heroinë ndal një masakër, vret me pistoletën e saj me leje një agresor!

Ndërsa Amerika ende është e tronditur nga masakra e Teksasit, ku në një shkollë fillore, një 18-vjeçar hyri i armatosur e vrau 19 fëmijë e dy mësuese, para se të ekzekutohej nga policia, mësohet se një grua përdori një pistoletë me leje për të vrarë një 37-vjeçar, që rrezikoi të përgjakte një festë ditëlindjeje.

Ngjarja që zbulohet vetëm tani nga mediat, ndodhi në Charleston, në West Virginia të Shteteve të Bashkuara. Autorit të identifikuar si Denis Butler, person me precedentë penalë, iu kërkua të largohej e të mos e parkonte makinën në zonën ku mbahej festa, në një mjedis të jashtëm. Kjo bëri që ai të ikte përkohësisht, për t’u rikthyer me një pushkë gjysmë-automatike Ar-15, si ato që përdoret për masakrat në Amerikë e nisi të qëllonte drejt pjesëmarrësve, mes tyre shumë fëmijë.

Gruaja që ishte mes të pranishmëve, nuk u fsheh, por përdori pistoletën me leje që mbante me vete dhe ekzekutoi agresorin. Identiteti i saj nuk bëhet i ditur, ndërsa mësohet se nuk kishte asnjë lidhje me forcat e rendit dhe as eksperiencë të mëparshme në përdorimin e armëve.

Policia vlerësoi veprimin e saj, por nuk dha shpjegime për mënyrën si e kishte siguruar armën Denis Butler, i cili ishte i skeduar më parë. Episodi i radhës ndodh në kohën kur janë rikthyer edhe më të forta debatet e kërkesat mbi nevojën për të kufizuar mbajtjen e amëve, kur pajisja me to, parashikohet në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me urdhër të presidentit Joe Biden, edhe sot flamujt janë në gjysmë shtizë në Amerikë, në shenjë zie për masakrën në Uvalde të Teksasit, për të cilën policia pranoi se “ishte gabim që nuk ndërhynë menjëherë në klasë ku killer-i Salvador Ramos arriti të zbraste të paktën 100 plumba”.

Për prodhuesit e armëve, nuk është “përgjigje”, të hiqet e drejta e vetëmbrojtjes.