Bota

Amnesty International akuza Rusisë për krime lufte në Ukrainë!

Amnesty International akuzon Rusinë për krime lufte në Ukrainë, duke thënë se sulmet në Kharkiv, shumë prej tyre me bomba thërrmuese të ndaluara, vranë qindra civilë. “Bombardimet e përsëritura të lagjeve të banuara në Kharkiv janë sulme pa dallim që vranë e plagosën qindra civilë dhe si të tilla paraqesin krime lufte”, tha grupi për të drejtat e njeriut në një raport për qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Kjo vlen edhe për sulmet me raketa e predha artilerie të pa komanduara.

Në Kharkiv, Amnesty ka gjetur prova të përdorimit të përsëritur nga forcat ruse të bombave thërrmuese 9N210 dhe 9N235 e minave tokësore thërrmuese, të ndaluara sipas konventave ndërkombëtare. Bombat thërrmuese lëshojnë dhjetëra bomba ose granata në ajër, duke i shpërndarë në disa qindra metra katrorë. Raporti me titull, “Çdokush mund të vdesë në çdo kohë”, shpalos hollësi mbi mënyrën si forcat ruse filluan të shënjestërojnë zonat civile të Kharkivit në ditën e parë të agresionit më 24 shkurt.

Bombardimet “e pamëshirshme” vazhduan për dy muaj, duke shkaktuar shkatërrime të rënda në qytetin me 1.5 milion banorë. Njerëzit u vranë në shtëpitë e tyre dhe në rrugë, në kënde lojërash e madje në varreza, ndërsa ishin në radhë për ndihmë humanitare e po ashtu, duke blerë ushqime dhe ilaçe. Përdorimi i përsëritur dhe në shkallë të gjerë i municioneve thërrmuese të ndaluara është tronditës dhe një tregues i mëtejshëm i shpërfilljes së plotë të jetës së civilëve. Forcat ruse përgjegjëse për këto sulme të tmerrshme duhet të japin llogari.

“Nëntë shtetet që kanë armë bërthamore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, ka të ngjarë që të rrisin e modernizojnë arsenalin e tyre të kokave bërthamore. Po ashtu, të jenë më të zëshme për këtë çështje në dekadën e ardhshme”. Kështu thuhet në një studim, ndërsa theksohet se kjo shihet si “shqetësuese”. Në raportin për vitin 2022, Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) me seli në Stokholm nënvizon se “ arsenalet pritet të rriten gjatë dhjetë viteve të ardhshëm”.