Aktualitet Bota

Amnesty International: Prodhuesit e vaksinave,po vënë përfitimin financiar, para jetës së njerëzve!

Prodhuesit e vaksinave kundër COVID-19 po e vënë përfitimin financiar para jetës së njerëzve, tha organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI), duke kërkuar shpërndarjen e dy miliardë dozave të vaksinës kundër koronavirusit për vendet më të varfra deri në fund të vitit.

Organizata për të drejtat e njeriut tha se kompanitë: AstraZeneca, Pfizer, BioNTech, Johnson & Johnson, Moderna, Novavax – që të gjitha kanë refuzuar të ndajnë doza ose njohuritë teknologjike për t’i mundësuar botës që të posedojë më shumë vaksina COVID-19.

“Nga 5.76 miliardë doza të injektuara në të gjithë botën, vetëm 0.3 për qind kanë shkuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mbi 79 për qind në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta”, tha shefja e Amnesty International, Agnes Callamard.

Në letrat dërguar Amnesty International të gjitha kompanitë ishin zotuar se mbështesin të drejtat e njeriut, por raporti tha se veprimet e tyre e shkelin këtë angazhim.

India dhe Afrika e Jugut kishin kërkuar në Organizatën Botërore të Tregtisë që kompanitë të ndajnë njohuritë e tyre për prodhimin e vaksinave, mirëpo të gjashtë kompanitë e kishin kundërshtuar këtë.