Aktualitet

Amnistia fiskale e penale, mund të formalizohet pasuri deri në 2 milionë euro

Nisma e qeverisë për amnisti fiskale e penale, kundërshtuar më herët nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Bashkimi Europian, është hedhur për konsultim publik. Sipas dokumentit, përfitues nga deklarimi vullnetar janë qytetarët shqiptarë pavarësisht nëse jetojnë apo jo në vend dhe të huajt rezidentë, pavarësisht shtetësisë.

“Në vitin 1095, Papa Urbani II, ushtarëve që ktheheshin nga Kryqëzatat, u falte mëkatet me kusht që t’i deklaronin ato para priftit dhe të paguanin para. Paguanin para dhe merrnin indulgjenca. Ky draft, nuk është asgjë më shumë sesa një indulgjencë për pjesën më të inkriminuar të shoqërisë. Sepse krim është edhe evazioni, krim është edhe fshehja e taksave e mospagimi i sigurimeve shoqërore”, thotë Zef Preçi.

Nëpërmjet amnistisë mund të formalizohen shuma deri në 2 milionë euro si dhe pasuria të tjera të paluajtshme. “Shumë është tepër e lartë dhe nuk e justifikon riatdhesimin e parave, por jep një lloj mundësie atyre që duan të përfitojnë nga ligji”, thotë Brikena Kasmi, ish-zv.ministre e Drejtësisë.

Pastrimi i parave është edhe rreziku kryesor sipas ekspertëve nëse nisma do të miratohet në Parlament.

“E kemi para që nuk kontrollohen, potencialisht mundësi e financimit të terrorizmit. Amnistia shkon kundër angazhimeve të shtetit shqiptar”, thotë ish-prokuror dhe ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Referuar relacionit përcjellës, nga amnisti fiskale e penale nuk mund të përfitojnë politikanët aktivë, përfshirë presidentin e Republikës, drejtues në pushtetin vendor, zyrtarë të sistemit të drejtësisë si dhe eprorë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura e Shërbimi Informativ i Shtetit.