Celebrities Live From Tirana Music

Andrra zbulon gjithçka lidhur me projektin e saj “Shën Gjergji”!

“Shën Gjergji” është një bashkëpunim mjaft interesant që bëri bashkë Andrran dhe kitaristin e talentuar Petrit Çeku. Si lindi ky bashkëpunim mes tyre dhe cili ka qenë kuptimi i kësaj kënge, Andrra na e tregon për “Live From Tirana”.

Si ka ecur kënga për ty?

Të them të drejtën, versionet live nuk kam pritur që do të kenë dëgjueshmërinë që kanë. Jam e lumtur për këtë sepse sidomos kënga “Shën Gjergji” më pëlqen më shumë live se sa inçizimi i albumit. Tani që është në “The Top List” gëzohem shumë.

Si ka qenë të punosh me Petrit Çekun?

Është kitarist klasik dhe ka qenë i jashtëzakonshëm bashkëpunimi. Gjithashtu është dhe violinisti që është nga Kosova, Visar Kuçi. Bashkëpunimi me ta ka qenë i jashtëzakonshëm sepse i gjithë ky inçizim ka ndodhur në Berlin. Mendoj se prodhimi i kësaj ka qenë një ndër sukseset më të mëdha. Jam ndierë shumë krenare pasi të gjithë kanë pranuar për të marrë pjesë në këtë projekt. Të gjithë muzikantët janë të zgjedhur me shumë qejf dhe ka qenë e jashtëzakonshme për mua të isha në një dhomë me ta.

Si lindi ky projekt?

Kur e kam inçizuar për album “Shën Gjerghin”, e kishim kitaristin në studio që ishte shumë i mirë por diçka më thoshte që të kishim dhe Petrit Çekun. E kam kontaktuar dhe ai fatmirësisht kishte kohë për të ardhur në Berlin për të bërë këtë projekt. 

Ka një ndërthurje mes religjozes dhe muzikales në këngët e tua, si ka lindur kjo lloj preference nga ana jote?

Rrjedh kryesisht nga tekstet, që shumica janë marrë nga librat e albanologut Anton Çeta. Ai ka publikuar libra të ndryshëm me tekste që i ka mbledhur nëpër fshatra, në malësi dhe të gjithë këto vende i ka vizituar dhe i ka mbledhur tekste të ndyshme që kanë qenë për këngë ose poezi. Shumica prej tyre thuhet se kanë qenë këngë por nuk i dihet melodia. Unë mendoj që mistika e atyre teksteve është në jetën e atyre njerëzve që i kanë shkruar. “Shën Gjergji” është tekst prej Kosovës i viteve ’50 apo ’60. Në atë kohë shumica e familjeve shqiptare kanë pasur dikë jashtë vendit për punë. Festat për të cilat janë kthyer burrat kanë qenë pikërisht këto festa, Shën Gjergji apo Shën Kolli, ose edhe për Bajram. Prandaj në këto tekste përmenden këto festa. Janë tregime të një kohe më mistike, të cilat ne tani nuk i kuptojmë dot të gjitha.

Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë si pjesë e klasifikimit të “The Top List”.