Bota

Anëtarësimi i Finlandës në NATO, Rusia zotohet për hakmarrje!

Rusia thotë se “do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës”, për shkak të vendimit të shtetit fqinj, Finlandës, për të kërkuar anëtarësim në NATO. Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse theksohet se “ky vendim do të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet dypalëshe, si edhe sigurinë e stabilitetin në veri të Europës”. Po ashtu, hapi përshkruhet si “ndryshim radikal në politikën e jashtme të shtetit”.

Rusia do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës, si në aspektin tekniko-ushtarak, ashtu edhe të natyrave të tjera, që të neutralizojë kërcënimet për sigurinë kombëtare.

Por, Moska nuk ka specifikuar se çfarë planesh ka.

Zv.përfaqësuesi rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polvansky tha se “Suedia dhe Finlanda do të bëhen shënjestra të mundshme për Rusinë, nëse anëtarësohen në NATO”. Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin, bënë thirrje që vendi të aplikojë për anëtarësim, “pa vonesa”. Për këtë ka një mbështetje të fuqishme mes finlandezëve, sidomos pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, më 24 shkurt.

Finlanda ka një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë dhe deri tani qëndronte jashtë NATO-s, për të shmangur antagonizmin e fqinjit lindor. Ndërkohë, vendimin zyrtar do ta bëjë publik të dielën kur të njoftojë NATO-n e kjo çështje të diskutohet në Parlament dhe nga disa figura të larta shtetërore.

Suedia paralajmëroi se do të marrë vendim të ngjashëm, ditët në vijim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se “pret që procesi i anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës të ndodhë së shpejti”. Shtëpia e Bardhë konfirmoi mbështetjen amerikane ndaj këtyre dy shteteve, nëse aplikojnë.

Një anketë e realizuar javën e kaluar, tregoi se 76% e finlandezëve e përkrahin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO, ndërsa 12% janë kundër. Finlanda dhe ish-Bashkimi Sovjetik kanë qenë në anë të ndryshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Finlanda humbi 10% të territorit në marrëveshjen për paqe dhe nuk u përfshi në Luftën e Ftohtë. Anëtarësimi i Finlandës në NATO, nënkupton që kufiri i Rusisë me Aleancën Veri-Atlantike do të rritet më shumë se dyfish. Ndërkohë, Suedia nuk ka kufi me Rusinë.