Bota Celebrities

Angela Merkel pranë lamtumirës, vjen “arusha kancelare” që kushton…

Gjermania po përgatitet për epokën pa Angela Merkelin kancelare. 16 vite me të, gjermanëve do t’iu mungojë gruaja e hekurt e gjithnjë popullore, e cila njoftoi tërheqjen nga politika. Në zgjedhjet e kësaj të diele, nuk kandidon më, por sigurisht që do të qëndrojë në detyrë derisa të formohet qeveria e re, çka zakonisht merr 5-6 javë kohë pas votimeve e në ndonjë rast si në 2017-ën, edhe 5 muaj e gjysmë.

Por lamtumira është e sigurtë për 67-vjeçaren, të cilës i pëlqen të gatuajë supë me patate e kek me kumbulla e sigurisht që tani do të ketë më shumë kohë për t’iu përkushtuar pasioneve.

Pasi të dal në pension, fillimisht do të bëj pushim e nuk do të pranoj asnjë ftesë. Gjatë kësaj kohe dëshiroj të mendoj për gjërat që vërtet më interesojnë. Do të lexoj, kur të më mbyllen sytë se jam e lodhur do të fle pak, pastaj kur të zgjohem të shohim se ç’do të bëj.

E vështirë ndarja me Merkelin e nuk mund të jetë kështu pa një shenjë. Një kompani bavareze e prodhimit të lodrave ka vendosur ta përcjellë në mënyrë të veçantë: 500 arusha pellushë me veçoritë e kancelares gjermane. Një prej tyre kushton 189 euro. Numri 16 do t’i dhurohet Merkelit, shifër që përkon me vitet e saj në detyrën e rëndësishme.

Me gjatësi 38 centimetra, teddy bear ka prerjen e flokëve të kancelares në ikje, xhaketë të kuqe ndërsa duart i mban si liderja konservatore gjermane.