Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias shkon sot në Turqi për një takim me presidentin turk, Recep Tayip Erdogan, pas kërkesës së këtij të fundit, një ditë më parë. Axhenda e vizitës pësoi ndryshime dhe kryediplomati i Athinës e pranoi ftesën por diplomatët e konsiderojnë “takim të vështirë”.
Në Greqi, nuk besojnë se Ankaraja ka ndryshuar qëndrim në çështjet e hapura dhe konstante si e Zonës Ekskluzive Ekonomike në Mesdhe, Memorandumi me Libinë, Qipro, kërkimet me anijen “Oruc Reis” në Egje, emigracioni apo komuniteti mysliman në veri të Greqisë.
Ky takim i nivelit të lartë vjen 17 muaj pas atij Mitsotakis-Erdogan në Londër, më 4 dhjetor 2019 në kuadër të një samiti të NATO-s. Gjithashtu, i paraprin samitit 5-ditor në Gjenevë për çështjen e Qipros. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e konsideron “hap pozitiv” qëndrimin e palës turke.
Verën e vitit të kaluar, tensionet mes Greqisë e Turqisë u rritën ndjeshëm për shkak të kërkimeve turke për naftë e gaz në Mesdheun Lindor, në ujëra të pretenduara nga secila prej palëve. Për Athinën, misioni shkelte sovranitetin grek.
Greqia dhe Turqia kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada mbi kufijtë detarë por zbulimet e fundit të gazit natyror dhe planet e shpimit në Mesdheun Lindor kanë përkeqësuar tensionet. Greqia ka rreth 6.000 ishuj në detet Egje dhe Jon, më shumë se 200 prej tyre janë të banuar.