Bota

Fauci: “Me dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, mbrojtja nga mutacionet rritet deri në 44 herë!”

15 ditë pas dozës së tretë të vaksinës Moderna, rritet ndjeshëm mbrojtja nga variantet e koronavirusit. Kryeimunologu amerikan, Anthony Fauci:

Rritja është 23 herë kundrejt mutacionit D614G (i pari), 32 ndaj B.1.351 (varianti afrikano-jugor) e 44 herë për mutacionin P.1 (brazilian). Të njëjtat të dhëna edhe për dozën përforcuese të vaksinës Pfizer.

Duke folur në një Kongres të mjekëve, Fauci vuri në dukje:

Transmetueshmëria e Deltës është shumë më e fortë se e varianteve të tjerë ndërsa ngarkesa virale në rrugët e sipërme të frymëmarrjes te personat e infektuar, deri në një mijë herë më e lartë krahasuar me këto variante.

Në Shtetet e Bashkuara, kjo ka çuar në rënie të efikasitetit të vaksinave kundër formave të rënda të COVID-it, shoqëruar me shtrime në spitale. Rënia rezulton nga 91% në 81 për Moderna-n e nga 85% në 75 për Pfizer-in.

Kryeimunologu amerikan nuk la pa përmendur pasojat e atij që njhet si Long COVID, (COVID-i i Gjatë) duke shpjeguar se dëmton organet. Por ende nuk ka një shpjegim të plotë mbi vazhdimin prej javësh e muajsh të shenjave e të simptomave të koronavirusit te një përqindje njerëzish.

Këtu veçohen lodhja ekstreme, dhimbjet e muskujve, funksionimi i keq i sistemit nervor, takikardia që nuk shpjegohet, luhatjet e temperaturës së trupit, çrregullimet e gjumit, depresioni, ankthi e madje një lloj “mjegullimi i trurit”, që çon në vështirësi për t’u përqëndruar.

Po në SHBA, Kalifornia është gati të zbatojë një urdhër për vaksinimin e detyrueshëm të nxënësve të shkollave. Masa mund të nxisë shtete të tjera. Kujtojmë se shumë prej tyre vepruan në të njëjën linjë kur Guvernatori Gavin Newsom vendosi urdhrin e parë mbarëkombëtar në vend, për ndalim-qarkullimi në fillim të pandemisë.

Ligji i Kalifornisë kërkon që të gjithë fëmijët e regjistruar në shkollat publike e private të kenë kryer 10 vaksina. Për të koronavirusit, Kalifornia do të pranojë përjashtime për arsye mjekësore, fetare e personale.