Aktualitet

Anulohet koncerti për Ditën e Pavarësisë në Vlorë, shkak furtuna dhe stuhitë.

Reshjet e shiut kanë bërë që bashkia e Vlorës të anulojë koncertin që kishte parashikuar të zhvillonte me rastin e Festës së Pavarësisë.

‘Të dashur qytetarë! Me keqardhje ju njoftojmë se për shkak te kushteve jo të mira te motit dhe te furtunes kemi qenë të detyruar të anullojmë koncertin e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 18.00. Faleminderit per mirekuptimin!’- njofton bashkia.

Furtuna që ka përfshirë qytetin e Vlorës, mbrëmjen sotme me shtrëngata shiu dhe era e fortë kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve, duke kufizuar pamjen për shoferët.

Nga reshjet niveli i ujit në rrugë është rritur duke dalë mbi trotuare. Në pothuajse të gjithë kryqëzimet e qytetit janë krijuar radhë trafiku për shkak të kufizimit të lëvizjes.

Ndërkohë përkeqësimi i motit dhe deti me dallgë kanë sjellë pezullimin e lundrimit detar në Vlorë. Mësohet se për shkak të këtyre kushteve të motit, lundrimi do të jetë i pezulluar deri në datën 30 nëntor.