Aktualitet

Arben Kraja: “Hetim të plotë materialeve nga Amerika” për personat non grata!”

“Çdo informacion apo material që do të vijë në SPAK nga Shtetet e Bashkuara do të hetohet dhe do t’i shkohet deri në fund!”.

Kjo u theksua nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja, i cili raportoi sot në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020. Kraja u pyet nga deputeti i opozitës, Ralf Gjoni se “Çfarë do të ndodhë me personat e shpallur “non grata” nga SHBA, nëse do të fillojë hetim ndaj tyre?”.

Lidhur me listën e shpallur nga Amerika, Kraja tha se është një proces që ndodh atje.

Ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penal e si shkohet deri te gjykata. Ajo që unë garantoj është se çfarëdo indicje apo material që do vijë apo të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar për kompetencat që ne kemi në juridiksionin tonë, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar ndjekjen penale deri në fund, qoftë penalisht, qoftë nga pikëpamja e hetimit financiar, qoftë dhe nga pikëpamja e bllokimit të pasurive të paligjshme. Çfarëdo që të vijë, përfshirë nga partnerët ndërkombëtarë, patjetër!

Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi filluar aktivitetin dhe kemi raportuar! Janë të dhëna e shifra konkrete, janë dënuar persona e janë ngritur akuza për grupe të strukturuara kriminale. Për herë të parë është bërë akuzë për pastrim produktesh, u arrit dhe konfiskim i pasurive në kuadër të veprës penale për pastrim produktesh.

Arben Kraja foli për bashkëpunim.

Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, me strukturat e kontrollit të brendshëm por edhe me faktorin ndërkombëtar. Duhet të kemi parasysh se koncepti i bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar është në disa aspekte. Eshtë për vendosjen e shkëmbimit të informacionit por edhe në marrëdhënie reciproke, marrjen e ndihmës dhe këshilla për ngritjen e strukturës. Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdha, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje, duke mbledhur provat e nevojshme dhe duke shkuar në përfundim!