Celebrities Live From Tirana

Arbjan Mazniku: “Gazetarët janë si minatorët”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio për të folur rreth lirisë së të shprehurit, Zëvendës/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku. Por, çfarë mendimi ka Arbjani për këtë, ai na tregon më shumë vetë…

Unë besoj se jemi një vend që kemi mjaftueshëm liri të të shprehurit. Armiku më i madh i lirisë së shprehjes është abuzimi më lirinë e shprehjes. Gjëja më e madhe që ka ndryshuar në vitet e fundit është se sot çdo njeri është një media. Nëse më parë mediat ishin institucione të mbyllura, një radio, një TV, një gazetë që kishte një redaktor, gazetar, tani secili prej nesh mund të ketë një kanal në radio, mund të prodhojë një radio të vetën, shkruan tekste. Kjo na jep liri por i jep liri dhe atyre njerëzve që jo gjithmonë thonë të vërtetën. Në kemi struktura të tilla që nuk e dimë kush është pas ktyre.

Ne kemi një problem me mediat tona që ka të bëjë me profesionalizmin. Ne flasim shumë për pavarësinë e medias por nuk flasim aq sa duhet për profesionalizmin e medias. Një media profesionale ka burime nga të gjitha palët, ka fakte të vërteta, ndan opinionin nga raportimi i fakteve. Këtu te ne këto përzihen me njëra tjetrën. Shumë media këtu raportojnë fakte të pavërteta, raportojnë fjalë si të ishin fakte pa i kontrolluar dhe kjo ka dy probleme. E para e dezinformon publikun dhe e dyta ulin besueshmërinë e vetë mediave. 

Çfarë mesazhi ka Mazniku për ata që duan të bëhen gazetarë?

Gazetarët janë pak a shumë jo shumë ndryshe nga minatorët. Janë ata persona që në mes të një mali duhet të gjëjnë atë gjënë e çmuar dhe me vlerë e ta ndajnë nga pjesa tjetër e dheut, e baltës, e gurit. Është një punë e vështirë sepse duhet të luftojnë me punën dhe me pseudo gazetarët që mendojnë se mund ta bëjnë këtë po ashtu si ata. Por në fakt merren me shumë me baltën sesa më gjënë që duhet. Unë jam i bindur se profesionistët e vërtetë në fund ja dalin gjithmonë.