Health & Beauty Live From Tirana

Argjira Spanca zbulon sekretin për një lëkurë të shëndetshme në çdo stinë

Moderatorja e ekranit të Top Channel, Argjira Spanca është një ndër ato vajza simpatike që gjithmonë shfaqet e kuruar me look-un e saj. Teksa folëm për truket e grimit dhe si të dukemi bukur në çdo kohë, ajo zbuloi disa nga sekretet e saj, gjëra fare të thjeshta që çdo vajzë mund t’i provojë.

Fillimisht, moderatorja e “E Diell” theksoi se në jetën e përditshme jashtë ekranit, ajo nuk bën asnjëherë grim por pëlqen t’a lërë lëkurën të marrë frymë. Gjithashtu, theksoi se rutinën e saj të mëngjesit e ka shumë të rëndësishme.

“Unë gjithmonë kam një rutinë timen. Zgjohem në mëngjes dhe konsumoj një gotë kakao me qumësht pasi nuk jam shumë e kafes, vitaminat që ka kakao më ndihmojnë të hap sytë. Nuk bëj grim, pasi zgjohem, vesh rroba të rehatshme dhe vazhdoj ditën në mënyrën më komode të mundshme.”

Argjira sakaq, tha se për një lëkurë të shëndetshme krahas shmangies së grimit të rëndë, të rëndësishme janë edhe trajtimet e lëkurës por jo shumë të shpeshta. Kështu lëkura do të duket e pastër dhe e shëndetshme në çdo stinë. Sa i përket grimit, ajo qëndron tek minimalja dhe shtoi se kjo do të mbetet trend edhe këtë vit.