E ftuar në “Live from Tirana” ishte arkitektja Kilda Markja për të folur rreth disa metodave natyrale për të mbajtur të freskët shtëpinë tonë në këto ditë të nxehta. Ajo po ashtu u ndal dhe tek përdorimi i kondicionerit dhe problemeve shëndetësore që ai sjell. E megjithëse e nevojshme për shumë, ekzistojnë mënyra natyrale ajrosjeje dhe freskimi që, të paktën, duhet të jeni të vetëdijshëm.
Cilat janë disa metoda natyrale ajrosjeje?
Kryesorja është ventilimi natyral. Është shumë e rëndësishme që të keni dritare në jug ose veri dhe t’i lini hapur. Ju rekomandoj të përdorni dritare tripleks dhe të aplikoni dritare me 3 xhama, gjithashtu dhe përdorimin e perdeve për të ndihmuar ajrosjen dhe penguar diellin. Freskueset në tavan kanë qenë një zgjidhje dikur, por kanë dalë nga moda dhe nuk përdoren më. Megjithatë, ato janë të afta t’i japin një ventilim dhomës pa anët negative të kondicionerit. Lani ambientet shtëpiake shpesh, uji normalisht luan një rol freskues për ajrin. Një gjë interesante që duhet të përmendet është se apartamentet e vjetra tregojnë optimizim më të mirë të uljes së temperaturave nga ato të rejat, për shkak të materialeve që janë përdorur. Nuk kemi çfarë t’iu bëjmë atyre, por mund të aplikojmë një shtresë termoizoluese në faqet e ndërtesave për të mirëmbajtur temperaturat e brendshme. Ato janë shumë të përhapura dhe mund t’i gjeni kudo.