Sport

Armando Broja në mes dy klubeve, sulmuesi shqiptar mbetet në Premier League!

Armando Broja do të përcaktojë të ardhmen e tij në ditët e ardhshme teksa do të mbajë diskutime të rëndësishme me trajnerin e Chelsea-t, Enzo Marezca. Deri më tani, vetëm Everton dhe Wolverhampton kanë shfaqur interesim për shërbimet e sulmuesit shqiptar.

Broja u la jashtë skuadrës së “Bluve të Londrës” që humbi 2-1 ndaj Real Madrid në “Bank of America Stadium” të Charlottes. Por mungesa e tij nuk erdhi si pasojë e një dëmtimi. 22-vjecari kaloi një sezon jo të mirë në aspektin personal në sezonin e shkuar, pasi edhe në gjysmën e dytë ku luajti në huazim te Fulhami nuk arriti të lërë gjurmë.

 

Në pesë ndeshjet miqësore në SHBA të Chelsea-t, Broja luajti vetëm 72 minuta. Në qendër të sulmit përpara tij u preferua 18-vjecari Marc Guiu, i cili u aktivizua në vend të Nicolas Jackson. Edhe Christopher Nkunku u përdor gjithashtu si një sulmues nga trajneri Enzo Maresca.

Të tjerë futbollistë që nuk janë në planet e Marescës dhe që mund të shiten janë Ben Chilwell, Renato Veiga dhe Angelo Gabriel. Pista e Everton është mjaft e hapur për Brojën, por që të transferohet në Goodison Park fillimisht duhet të largohet Dominic Calvert Lewin. 22-vjecari shqiptar është një produkt i akademisë së Chelsea-t, por në 38 ndeshje zyrtare me klubin ka shënuar vetëm 3 gola.