Bota

Armët bërthamore ruse në Ukrainë, Putin i mohon/Uashingtoni: Nuk ka tregues të “bombës së pistë”!

Vladimir Putin mohon të ketë patur qëllim për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë, por konfliktin atje e përshkruan si pjesë të përpjekjeve të supozuara të Perëndimit për të siguruar dominim global. Presidenti rus këmbëngul se “të tilla tentativa, janë të destinuara të dështojnë”. Sipas shefit të Kremlinit, “e kotë që Rusia të godasë Ukrainën me armë bërthamore”, duke vënë në duke se “nuk ka asnjë kuptim, as politik e as ushtarak”.

Një paralajmërim i mëparshëm rus mbi gatishmërinë për të përdorur “të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë”, për presidentin rus Putin nuk përbënte goditje bërthamore, por një përgjigje ndaj deklaratave perëndimore. Shefi i Kremlinit veçoi ish-kryeministren britanike, Liz Truss, e cila sipas tij, “shprehej se do të ishte gati të përdorte armë bërthamore nëse zgjidhej kryeministre e Britanisë së Madhe, koment që siç theksoi “e shqetësoi Kremlinin”.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë se nuk kanë asnjë dëshmi për të treguar përdorimin në kohë të afërt në Ukrainë të së ashtuquajturës “bomba e pistë”, që në përmbajtje ka material radioaktiv. Sipas shefit të Pentagonit, Lloyd Austin, nuk ka një sugjerim se Putin mund të ketë vendosur për një armë të tillë dhe as që ukrainasit po e planifikojnë përdorimin e mundshëm.

Pa prova, Rusia pretendon se Kievi po planifikon të përdorë një bombë me material bërthamor. Në Perëndim e Ukrainë, kjo rrit frikën se Moska mund të shpërthejë një “bombë të pistë” për të fajësuar palën ukrainase dhe krijuar një pretekst që do të çonte në përshkallëzim ushtarak, përfshirë përdorimin e armëve taktike bërthamore.

Lufta ruse në Ukrainë zgjat prej më shumë se 8 muajsh tashmë. Konflikti nisi më 24 shkurt, kur Putin i dha urdhër trupave të Moskës, të sulmojnë. Por, kreu i Krmelinit nuk e përdor fjalën luftën dhe flet për “operacion special ushtarak” që të çmilitarizohet vendi fqinj, Ukraina.