Bota

Armët e masakrave në Amerikë, presidenti Biden kërkon kufizime!

Me fjalët “Mjaft, mjaft”, presidenti Biden i bëri thirrje Kongresit të ndalojë armët që blihen nga qytetarët për sulme, të zgjerojë procesin e verifikimit të blerësve e të zbatojë të tjera masa. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden pyeti popullin amerikan se edhe sa jetë duhet të humbasin, para se të ndryshohen ligjet e armëve në Amerikë.

Për hir të Zotit, edhe sa masakra të tjera duhet të ndodhin?

Në javët e fundit, në Nju Jork, Teksas e Oklahoma u shënuan tre masakra, më e rënda prej tyre, më 24 maj në Uvalde të Teksasit ku një 18-vjeçar i armatosur hyri në një shkollë fillore e vrau 19 fëmijë dhe dy mësuese, para se të ekzekutohej nga policia.

Nuk mund të mos e mendoja se ka shumë shkolla e vende të tjera që janë kthyer në fushëbeteja, këtu në Amerikë.

Presidenti demokrat bëri thirrje për një sërë masash që janë kundërshtuar nga republikanët në Kongres, përfshirë ndalimin e shitjes së armëve dhe karikatorëve. Po ashtu kërkon të rritet mosha minimale për të blerë armë nga 18, në 21 vjeç. Gjithashtu, Biden apeloi që prodhuesit e armëve të mos mund të mbrohen nga paditë, nëse qytetarët kryejnë akte të dhunshme me armët e tyre.

Ne nuk mund të zhgënjejmë sërish popullin amerikan!

Në veçanti, republikanëve në Senatin Amerikan iu kërkoi të lejojnë të dalin në votim projektligjet për kontrollin e armëve. Nëse Kongresi nuk vepron, populli amerikan do ta shndërrojë çështjen e armëve në temë qendrore në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.

Përmes një deklarate, Shoqata Kombëtare e Pushkëve, lobi më i fuqishëm i armëve në SHBA, tha se “propozimet e Bidenit do të cënonin të drejtat e pronarëve të armëve, të cilët u binden ligjeve”.

Kjo nuk është zgjidhje reale, ky nuk është lidership i vërtetë dhe nuk është ajo që i duhet Amerikës.

Amendamenti i dytë i Kushtetutës Amerikane mbron të drejtën e qytetarëve për të mbajtur armë. Por, Biden tha se “ky amendament nuk është absolut”, si dhe saktësoi se masat e reja që mbështet, nuk kanë për qëllim që qytetarëve t’iu merren armët. Presidenti po kërkon që Kongresi të miratojë legjislacion për kontroll më të ashpër të armëve. Në Senat, fuqia politike mes demokratëve dhe republikanëve është 50 me 50 e që një ligj të kalojë duhen 60 vota.