Celebrities Live From Tirana Music

Arnon dhe Sardi na tregojnë ‘çelësin’ e suksesit të bashkëpunimit të tyre!

Të ftuar në studion e “Live FromTirana” kanë qenë dy artistë shumë të talentuar që dinë si të sjellin ndryshimin në tregun muzikor shqiptar. E kemi fjalën për Arnon dhe Sardin, të cilët së fundmi kanë publikuar bashkëpunimin e tyre me titull “Ajo s’do normale”.

Cila ka qenë formula e kësaj kënge? Arnon na tregon:

Formula e kësaj kënge që në dëgjimin e parë, ka nisur me kitarë. Kjo është një këngë që e ka shkruajtur Sardi, që ka pasur një demo të vjetër para shumë kohësh. Dhe një ditë u ‘rifreskua’ kur ishim në studio. Kisha kapur kitarën dhe po luaja disa akorde të thjeshta, kurse Sardit aty në moment po i vinte teksti ndërmend. Na pëlqeu shumë ‘vibe’-i që u krijua. E regjistruam me telefon dhe e dëgjonim çdo ditë. Menduam se kjo ka diçka që të fikson. Pastaj menduam që ta punojmë.

Si e sheh Sardi suksesin e projektit “Ajo s’do normale”?

Bashkëpunimi është çelësi i suksesit dhe një bashkëpunim i mirë e sjell edhe këtë suksesin në cilësi. Bashkëpunimi me Arnon më ka sjellë gjithë këtë këndvështrimin ndryshe nga çfarë e kam unë personalisht. Secili nga ne në studio lë një shenjë dhe e shohim atë që ka vërtetë cilësi. Duket që ka diçka ndryshe. Kam përshtypjen që është dora e secilit kur futet në të dhe jep idenë e vet.

Çfarë i bashkon Arnon dhe Sardin? Sardi na tregon…

Ne këmi shumë të përbashkëta, edhe përtacinë. Edhe pjesën e argëtimit nuk e lëmë pas dore. Kalojmë shumë kohë me njëri-tjetrin dhe patjetër që pjesa kryesore mbetet krijimtaria dhe prodhimi. Këtu formohet kimia dhe kjo është një ndihmesë për produktin.

Çfarë është muzikë e mirë për Arnon?

Muzikë të mirë do të përkufizoja një këngë që të përcjell një emocion. Të ngjall kujtime, të ngjall një lloj ndjesie dhe më e rëndësishmja të transmetojë diçka. Nëse kënga nuk të transmeton asgjë pasi ti e ke dëgjuar, nuk të ka lënë asnjë lloj mbrese, asnjë lloj mesazhi, atëherë nuk është një muzikë e mirë.

Çfarë kemi së shpejti nga Sardi?

Po përgatitem të nxjerr një EP. Do të jenë 3 ose 4 këngë afër akustikes, të një fryme të ngjashme me “A ja thashë” apo “Sytë”. Nuk e di kohën se kur do i nxjerr. Kemi shume projekte me Arnon që i kemi lënë të ‘flenë’ pak…

Nëse edhe juve ju pëlqen “Ajo s’do normale”, mund ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “TheTop List” në Top Awards.