Aktualitet

“Arrest në burg” për efektivin e RENEA-s, Altin Morina!

Lihet në burg efektivi i RENEA-s, Altin Morina, i arrestuar pasditen e 14 marsit në Tiranë, me 113 mijë euro në makinën tip “Audi”. Në seancën e sotme, gjykata i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” 43-vjeçarit, i cili pretendon se paratë i ka të justifikuara. Sipas tij, shuma i përket një biznesmeni, që siç tha e mori “borxh” dhe u zotua të dokumentojë gjithçka, por deri tani nuk ka paraqitur dokumente. Po ashtu shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar.

Paratë nuk janë produkt i veprimtarisë kriminale, ato i mora 20 minuta para se të arrestohesha. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë.

Në seancë, Morina tregoi edhe emrin e një sipërmarrësi në fushën e ndërtimit, duke pretenduar se ia mori paratë për probleme personale.

Efektivi me detyrë shef i Stërvitjes në Repartin Special RENEA akuzohet për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe jo më për “Fshehje të të ardhurave”  e “Shpërdorim detyre”.

Menjëherë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan e finalizuan operacionin policor të koduar “Fast”. Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar sëbashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special RENEA.

Në ndejtësen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund. Nga numërimi rezultoi se në qesen e plasmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.000 lekë të rinj e 80 paund, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në dëshminë paraprake në polici, Morina mësohet të jetë shprehur:

Paratë janë të ligjshme e vijnë nga një biznes. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia tek një mik. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme e nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal.