Aktualitet Politikë

Arrestimet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, PD: A po hetohet Ardi Veliu?

Në një reagim për arrestimet e djeshme lidhur me vrasjen e prillit 2021 të Pjerin Xhuvanit në Elbasan, para zgjedhjeve të 25 prillit, PD thotë se ato “fshehin të vërtetën”. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka pyeti nëse është nën hetim Ardi Veliu, për “dhënie të informacioneve të rreme”.

Deklaratë e PD, Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka:

Ngjarja tragjike e prillit të shkuar në Elbasan, ka shënuar dje edhe një viktimë tjetër: Të vërtetën.

Në përpjekje për të manipuluar dinamikën e ngjarjes, dhe përfshirjen në të zyrtarëve të lartë, Policia ka bërë dy arrestime të cilat nuk zbulojnë gjë, por fshehin. Nuk bëjnë drejtësi, por e varrosin atë. Arrestimi i dy zv/drejtorëve dhe pezullimi i 6 policëve, nuk është gjë më shumë se hi syve opinionit publik.

Nuk është asgjë më shumë se përpjekja e dytë për të kaluar nga manipulimi fillestar në varrosjen përfundimtare të ngjarjes. Përgjegjësit e ngjarjes së Elbasanit, si në ngjizje, dhe më pas në shtrembërim të provave, i keni sot, ‘lart e më lart’, në zyrat e shtetit.  I keni në hetim personin e ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Sot, ai i ka ikur detyrës së atëhershme, dhe është graduar zv/ministër i Transporteve, por nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë.

I keni në personin e Alfred Shehut, prokurorit manipulator të provave të ngjarjes që ‘e fluturoi’ me ngritje nga Elbasani në SPAK.

I keni në personat e Drejtorit të Policisë së Elbasanit dhe zv Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të cilët u bënë pjesë e strukturës inkriminuese dhe kriminale të fshehjes së faktit se në makinën e viktimës kishte materiale zgjedhore.

Arrestimi i 2 zv/drejtorëve nuk është punë e strukturave ligjzbatuese, por pasojë e rrëfimit të Nuredin Dumanit. Asnjë prej tyre nuk u hetua, prej më shumë se një viti, dhe as do të hetohej kurrë.

Nuredin Dumani, një vrasës me pagesë, u kthye në polic, prokuror dhe SPAK të Republikës. Sepse, kur Republika kthehet në kriminale, janë kriminelët që e rrëzojnë atë përmbi kalbjen e saj.

Po të kishim Republikë të ligjit dhe barazisë para tij, i pari që do të ishte thirrur në prokurori do të ishte përgjegjësi kryesor për ngjarjen, Taulant Balla.

Këta janë njerëz të rrezikshëm.

Shqipëria është në rrezik.