Aktualitet

Arrestimi i drejtorit për ngacmime seksuale, ministrja Kushi paralajmëron!

Në institucionet tona arsimore, kurrë nuk do të ketë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Ky është reagimi i Ministres së Arsimit, Evis Kushi ndaj rastit të drejtorit të shkollës 9-vjeçare në fshatin Stropckë të Pogradecit, i akuzuar se ngacmoi seksualisht dy nxënëset e tij të mitura. Pas denoncimit të rasteve dhe jehonës në media, Adriatik Haxhillari u arrestua.

Ministrja Evis Kushi:

Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore, nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Por, kjo ngjarje thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve.

Detyra jonë emergjente është forcimi dhe përmirësimi i këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet e shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla, të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurt e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.

Nuk mungoi as reagimi i opozitës që përgjegjësinë e sheh më gjerë, te vetë sistemi i arsimit në vendin tonë. Sipas deputetit demokrat, Luçiano Boçi, “ngjarja e Pogradecit është dëshmi e devijimit të një sistemi të tërë arsimor të kalbur”.

Ngjarja e Pogradecit pason atë të Gjirokastrës ku vetëm pak ditë më parë, prindërit e një adoleshenteje, 16-vjeçe, iu drejtuan policisë për të denoncuar një 53-vjeçar, i afërm i tyre, me akuzën se për katër vite abuzonte seksualisht me të miturën. Ai mohoi akuzat, por gjykata i caktoi masën e sigurisë “45 ditë burg”.