Përplasja e dy makinave në Bërxullë të Tiranës rezultoi fatale për një fëmijë 9-vjeç që nuk udhëtonte në asnjërën prej tyre. Policia njoftoi arrestimin e dy drejtuesve të moshave 30 e 63-vjeç, Erjon Hajdini dhe Naim Allmeta. Nga përplasja e fortë e për shkak të shpejtësisë, njëri prej automjeteve përfundoi në një lokal buzë rruge në Bërxullë, brenda të cilit gjendej fëmija që fatkeqësisht ndërroi jetë në vendngjarje. Sipas banorëve të zonës, lokali është në pronësi të babait të viktimës.
Tiranë-
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bërxullë, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit N.A, 63 vjeç, banues në Kodër Kamzë dhe E.H, 30 vjeç, banues në Paskuqan.
Shtetasi N.A duke drejtuar automjetin tip “Toyota” në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin tip “Dacia”, me drejtues shtetasin E.H. Nga përplasja automjeti tip “Toyota” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një lokali duke aksidentuar një shtetas të mitur 9-vjeçar. I mituri nga dëmtimet e marra ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Për vendin ku ndodhi aksidenti fatal, shpesh ka patur ankesa të banorëve për mungesë të sinjalistikës. Referuar shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, 2% e shkaqeve të vdekshmërisë së shqiptarëve janë aksidentet. Ndonëse numri i përgjithshëm i tyre është ulur, sërish shkalla e rrezikshmërisë e fatalitetet mbeten të larta.
Në orët e vona të mbrëmjes, një aksident i rëndë u shënua në Rrugën e Kombit, në afërsi të Rrëshenit. Nga përplasja mes tyre e dy makinave mbetën të lënduar shtatë persona. Pesë prej tyre, dy të rritur e tre vajza të mitura, pjesëtarë të së njëjtës familje me banim në Shëngjin të Lezhës udhëtonin në mjetin tip “Audi” që rreth orës 21:00 u përplas me një “BMW” ku gjendeshin dy shtetase nga Kosova, drejtuesja e pasagjerja.
Katër prej të plagosurve u dërguan në Spitalin Rajonal të Rrëshenit e tre të tjerët te i Traumës në Tiranë. Mësohet se që gjithë janë jashtë rreziku për jetën. Nga grupi hetimor vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit rrugor me shtatë të dëmtuar, përfshirë tre të mitura.
Rreth orës 20:50, në autostraden “Rruga e Kombit”, në zonën e Rrëshenit, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin A.M dhe pasagjerë shtetasja D.M e tre vajza të mitura (familje), banues në Shëngjin, Lezhë, me mjetin tip “BMW” ku udhëtonin shtetaset B.S dhe M.S banuese në Kosovë.
Për pasojë janë lënduar fizikisht të gjithë personat që ndodheshin në mjetet e përfshira në aksident. Janë dërguar në Spitalin Rajonal të Rrëshenit katër nga të dëmtuarit, ndërsa tre prej tyre janë transportuar për në Spitalin e Traumës Tiranë, ku paraprakisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.