Aktualitet

Arrin minimumin historik në 18 vjet, prurjet nga sezoni turistik dhe eksportet zhvlerësojnë euron

Monedha e përbashkët evropiane ka prekur nivelin më të ulët të 18 viteve në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet në tregun vendas me 119.41 lekë, nga mbi 120 lekë që këmbehej në fillim të qershorit.

Në raport me një vit më parë Euro është zhvlerësuar me 3.1 lekë, pasi në të njëjtën periudhë vjet monedha evropiane këmbehej me 122.5 lekë.

Ky zhvlerësim i euros kundrejt monedhës vendase (lekë) ka si shkak kryesor efektin sezonal. Si pasojë e prurjeve të larta nga pushuesit prej sezonit turistik, ka shumë euro në qarkullim, çka përkthehet në nënçmim të saj.

Vetëm në tre muajit e parë të vitit ende pa nisur sezoni turistik të ardhurat nga turizmi u rritën me 169 milionë euro në raport me një vit më parë, dhe arritën në nivelin prej 409 milionë eurosh. Kjo tendencë, pritet të jetë në rritje përgjatë gjithë vitit, pasi edhe pritshmëritë për këtë sezon turistik janë tepër të larta. Sipas të dhënave të INSTAT vetëm në 5 muajit e arë të vitit kanë hyrë në Shqipëri mbi 1 milionë shtetas të huaj.

Faktor tjetër që po ndikon është edhe rritja e eksporteve që po sjell më shumë euro në vend, pasi edhe çmimet e mallrave që shiten janë më të larta. Por ky zhvlerësim i euros i dëmton eksportuesit pasi për mallrat që do shesin do fitojnë më pak pasi konvertimi i euros në lekë është më i ulët se më parë.

Por nuk mund të lihet pa përmendur edhe impakti i normës bazë të interesit në muajin mars, që po jep efektet më të mëdha tani pasi rrit pozitën e lekut në raport me monedhat e huaja, dhe importet bëhen më të lira, pasi në rastet kur leku forcohet harxhohet më pak për të importuar mallra nga jashtë. Në këtë mënyrë do të reduktohej edhe inflacioni i importuar.

KËMBIMI PËR 1 EURO

24 qershor 2021 122.58 lekë

24 qershor 2022 119.41 lekë

Rënia ndaj lekut -3.17 lekë

SHPENZIME BRENDA VENDIT

Janar-Mars 2022 409 mln euro

Janar-Mars 2021 240 mln euro

Diferenca +169 mln euro