Celebrities Live From Tirana

Arsimi në Shqipëri/Edmond Tupja: “Lindita Nikolla duhet të bëjë diçka për të rinjtë”!

Sot i ftuar në emisionin “Live From Tirana” nëpërmjet një lidhjeje telefonike ishte përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Edmond Tupja, i cili do të na flasë në lidhje me arsimin. A ka nevojë arsimi për një ndryshim? Tupja shprehet se:

Ka nevojë për ndryshim por ky nuk fillon dot nga studentët, përkundrazi duhet të jenë politikbërësit, profesorët dhe shkenca, për të plotësuar kërkesat që kanë të rinjtë dhe ka ardhur koha që ne duhet të përshtatemi. Shpresoj që pedagogët e rinj të sjellin një frymë të re. Këtu kemi një rutinë të vjetër që njerëzit kanë ngelur mbrapa. Duhet të ruhen nga rutina, duhet të dialogojnë me të rinjtë. Unë personalisht do të zgjidhja disa tekste për të përkthyer, komentuar, përshembull do të përpiqesha të bëja një sondazh se çfarë do ju interesonte më tepër të rinjve. Do të ishte mirë që dekanët, rektorët të kishin një student në familjen e tyre, do e kishin më të qartë problematikën. Kjo nuk ka të bëjë me ligje por bëhet me gadishmërinë e pedagogut, dekanit, rektorit për t’i kuptuar të rinjtë dhe ky është një problem që duhet parë. Të rinjtë duhen dëgjuar, ka lloj lloj kërkesash por brenda mundësive të rinjtë duhen dëgjuar.

Tupja vijon duke thënë se:

Sa bukur ishte para disa viteve kur u ngritën studentët në protestë, kur ishte Ministre e Arsimit Lindita Nikolla dhe në qoftë se ka nxjerrë mësime nga ajo kohë duhet të bëjë një përpjekje në atë pozicion që ka lidhur me të rinjtë në atë pozicion që ka. Unë nuk di një përfaqësi që mund të dialogojë me studentët por në fakt duhet një dialog i vërtetë dhe kam frikë se nuk ekziston ky dialog.

Jetojmë në një kohë ku pajisjet teknologjike i kemi çdo ditë përpara, por a mendon profesor Tupja se se ky problem vjen nga përplasja e brezave dhe zhvillimi teknologjik?

Ka një faktor objektiv. Në çdo vend të botës ekziston konflikti i brezave. Ne harrojmë që kemi qenë të rinj dhe gjithmonë pedagogët i kemi pasur si hyjni. Edhe profesori është njeri, nuk është perëndi, edhe ai mund të gabojë. Gjatë mësimdhënies në Francë, i rritur në atë klimë, dialogoja me studentët, jepja por dhe merrja nga ta, mësoja nga ata. Patjetër që studentët duhet të krijojnë një shoqatë që mund të nisë në nivele rajonale dhe më pas kombëtare. Edhe ndërtesa duhet të jetë jashtë rektoratit sepse është varësi ajo. Studentët janë të rinj dhe mos harrojmë që rinia është e tashmja e atdheut. Jemi e ardhmja por edhe e tashmja.