Rajoni

Arsimtarët në Kosovë në grevë!

Në Kosovë, sot nuk zhvillohet mësim. Sindikata e Bashkuar për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, SBASHK njoftoi se dita e sotme është planifikuar për grevë nga arsimtarët. Sipas SBASHK-ut, vendimi u mor të mërkurën në mbrëmje, gjatë një takimi të federatave sindikaliste që funksionojnë në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, BSPK.

Në një deklaratë thuhet:

Po ashtu, iu bëjmë thirrje prindërve, që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre, të premten 20 maj, të mos i sjellin në shkolla, sepse shkollat janë pa personel për mësimdhënie. Jo për fajin e tyre, mësuesit janë të detyruar të protestojnë, në përpjekje për të arritur realizimin e kërkesave që kanë.

Në njoftimin e SBASHK-ut, saktësohet se çerdhet në Kosovë, nuk preken nga greva.

Sindikata e Bashkuar për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën e Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës bënë të ditur se “sot do të protestohet për shkak të “mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punonjësve të arsimit”.

BSPK-ja veçon tre kërkesa kryesore për Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti:

Vazhdimin e pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri në zbatimin e Ligjit të pagave; nisjen e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore dhe ndryshimin e Ligjit për skemat e pensionit të financuara nga shteti, përkatësisht të pjesës ku kërkohet që punonjësit të kenë 15 vjet kontribute për pension, para 1 janarit 1999.

Edhe në fillim të prillit, sindikalistët në Kosovë organizuan një protestë me të njëjtat kërkesa, që nuk gjetën zgjidhje. Nisur nga mungesa e reagimit zyrtar në vend, ata bënë të ditur se nuk mund të durojnë ato që i konsiderojnë “shpërfillje, mospranim i dialogut social dhe mosrespektim i profesionalizimit” nga autoritetet qeveritare.