Live From Tirana Music

Artisti më i ri dhe i talentuar në treg Wicked-K na flet për projektin e tij të parë dhe hapat e ardhshëm!

I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë një nga artistët më të rinj në tregun muzikor shqiptar, me emrin e tij të artit Wicked-K. Ai ka publikuar së fundmi këngën e tij të parë të titulluar “Mikrofoni”, për të cilën na ka folur ai vetë më shumë…

Cili është synimi i Wicked K për të sjellë diçka të re në treg?

Dua të bëj diçka që mungon në treg. Nuk dua të bëj diçka komerciale, por diçka që të lë mbrapa.

Nga cilët artistë frymëzohesh dhe që të pëlqejnë më shumë?

Janë shumë artistë, kryesisht të vjetër. Mund të them Eminem, Biggie, Tupac, e të tjerë. Të gjithë kanë një histori shumë të bukur suksesi se si e kanë arritur atë.

Si mendon se mund të arrihet suksesi?

Edhe unë nuk kam hequr kurrë dorë nga ëndrra ime dhe kështu lindi dhe kënga ime e parë. Nëse i ke vënë një qëllim vetes nuk duhet të heqësh kurrë dorë, kjo do jetë gjëja e fundit që duhet të bësh. Por duhet të punosh fort. Në një moment mund të mos besosh tek vetja, të biesh poshtë, por pas një gjysmë ore të ngrihet morali prapë (qesh).

Ku e gjen ti vetë frymëzimin për artin tënd?

Më pëlqen të shkruaj për gjërat që më rrethojnë, që shikoj, që më ndikojnë mua personalisht. Por ka raste që e bëj dhe thjesht për të treguar një aftësi, se dhe hip-hop është aftësi.

Cilat janë planet e tua të ardhshme në muzikë?

Kjo ishte kënga ime e parë. Tani po punoj dhe për një album, që do e bëj kryesisht me ‘vibe old school’, por do të flas dhe për gjëra më konkrete, gjëra që na ndikojnë.