Celebrities Lancio Music Showbiz

Artisti që këndon në qendër të Athinës, Julio Imeri tregon për karrierën e tij dhe suksesin në Greqi!

I ftuar me anë të një lidhje telefonike në emisionin “Lancio” ka qenë artisti Julio Imeri. Suksesi i tij është i shpërndarë përtej kufinjve shqiptarë, por emri tij ka arritur “të godasë” Shqipërinë, jo vetëm për suksesin e tij, por edhe për faktin që Greqia po i jep një mbështetje dhe një vëmendje shumë të madhe.

Ky artist jeton në Athinë dhe ka zgjedhur që në kohën e tij të lirë të dalë në qendër të qytetit dhe të këndojë. Ai e pranon këtë gjë mjaft krenari dhe plot buzëqeshje. Në fakt, kjo është një arritje dhe diçka mjaft e lezetshme. I pyetur nëse do të bënte të njëjtën gjë nëse do të jetonte në Shqipëri, Julio është shprehur:

Kam dalë edhe në Shqipëri. Në vitin 2o18 kam filluar të dal dhe të këndoj në qendër të Athinës. Më pas u ktheva në Shqipëri dhe kam performuar rreth 7-8 muaj në Tiranë. Jam ndjerë jashtëzakonisht shumë mirë dhe nuk e prisja sepse kur dola në fillim në rrugë ishin tre ose katër njerëz që dilnin. Njerëzit më dëgjonin dhe këndonin me mua.

Në një treg muzikor kaq të vështirë siç është këtu në Shqipëri, këndimi në rrugë të ofron shumë pak në krahasim me këndimin në një klub, prandaj është diçka që nuk vlerësohet shumë. Për këtë fakt, ai ka pohuar:

Normalisht, është muzikë në rrugë dhe njerëzit japin si “donacion”. Nëse shkon në një klub do të paguhesh më shumë. Është tjetër nivel. Standardi i Greqisë është shumë i lartë dhe normal që ka vajtur më shumë shifra.

Edhe pse rrjedh nga një familje artistësh, Julio është një person mjaft i thjeshtë dhe e ka pranuar edhe vetë që ka patur pak ndrojtje në fillim. Për këtë arsye, ai ka zgjedhur edhe të performuarit në rrugë për të patur atë kontaktin ballë për ballë në rrugë me dëgjuesit. Ajo që ka bërë më shumë bujë dhe i ka dhënë më shumë emër është fakti se ai është pjesë zyrtarisht e “The Voice of Grecce”. Që nga ai moment, pavarësisht karrierës së tij të gjatë, nisi tendenca që artisti të intervistohej dhe të merrte më shumë sukses. I pyetur për këtë vlerësim, ai është shprehur:

Nga realiteti që jetojmë, ne e shohim këtë gjë si diçka negative, por kam lexuar një libër dhe në një kapitull flitet për pjesën ku njerëzit shkojnë aty ku është niveli më i lartë. Unë tashmë jam në televizion dhe njerëzit do të shkojnë tek Julio që është tek “The Voice of Grecce”. Më parë nuk do të shkonin, pasi nuk kanë parë diçka nga ana ime. Thjesht një këngëtar, një muzikant që kam bërë atë që më pëlqene më shumë dhe e kam reklamuar atë në Youtube. Nuk kam pretenduar tregun Shqiptar, pasi nuk përshtatet me mua, me stilin tim, me muzikën time.