Bota

Asambleja e OKB-së miraton rezolutën për mbrojtjen e civilëve në Ukrainë!

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kërkon mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë, si dhe ndalimin e menjëhershëm të luftës. Dokumenti kaloi me 140 vota pro. Shtetet që votuan kundër ishin Rusia, Siria, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Eritrea ndërsa 38 vende abstenuan.

Rezoluta kërkon që Rusia të ndalë menjëherë agresionin në Ukrainë dhe në veçanti, sulmet kundër civilëve apo objekteve të infrastrukturës civile. Po ashtu, apelon për mbrojtjen e civilëve, personelit mjekësor, punonjësve humanitarë dhe gazetarëve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, foli për “luftë absurde”, që po lë të vrarë mijëra njerëz, po shkatërron shtëpi e ndërtesa dhe ka çuar në miliona refugjatë. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, por kanë peshë politike. Një e tillë e ngjashme u miratua edhe më 2 mars e mori 141 vota. Ukraina dhe vendet aleate akuzojnë Moskën se është duke shënjestruar civilët pa dallim dhe objektet ku po strehohen njerëzit. Rusia e mohon diçka të tillë.

Atë që Perëndimi e njeh gjerësisht si pushtim rus të Ukrainës, Rusia e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar vendin fqinj dhe akuzon Shtetet e Bashkuara se nuk duan që kësaj situate t’i jepet fund.

“Bashkimi Europian është në krah të Ukrainës e të popullit të saj, si dhe njeh aspiratat e hyrjes në BE”. Kjo lexohet në deklaratën e përfundimeve të Këshillit Europian të mbledhur në Bruksel e që gjithashtu zotohet të vazhdojë ndihmat financiare, politike, materiale e humanitare për Ukrainën. Ndërkohë, Unioni do të vazhdojë me sanksione më të rënda kundër Rusisë e Bjellorusisë.

Në një postim në Facebook, Zelensky falenderoi vendet anëtare të Bashkimit Europian për mbështetjen, me përjashtim të Hungarisë. Presidenti ukrainas i bëri thirrje kryeministrit hungarez, Viktor Orban të marrë një vendim në lidhje me marrëdhëniet e tij me Rusinë. Nisur nga hezitimet e Orbanit për sanksionet e tregtinë me Moskën, si dhe dërgimin e armëve për Ukrainën, Zelensky i kërkoi të vendosë!