Rajoni

Asen Vasilev i mandatuar për krijimin e qeverisë së re të Bullgarisë!

Presidenti bullgar, Rumen Radev i dorëzoi ministrit të Financave, Asen Vasilev mandatin për formimin e qeverisë së re. Kryeministri në largim, Kirill Petkov, një reformator properëndimor, i cili dha dorëheqjen në fillimjavë, pas një votimi mocioni mosbesimi në Parlament, pati deklaruar se partia e tij e qendrës, “Të vazhdojmë Ndryshimet” (PP) do të propozojë Vasilevin për kryeministër të ardhshëm të vendit.

Tashmë, Vasilev ka shtatë ditë kohë, për t’i dhënë fund krizës më të re politike në Bullgari, për të cilën Radev u kujdes të vinte në dukje se është ekonomike, si edhe sociale. Fillimisht, duhet që Asen Vasilev t’i propozojë kreut të shtetit një kabinet qeveritar për miratim e më pas, të përballet me votimin e besimit në parlament. Ai u shpreh se “të gjithë janë të vetëdijshëm për krizën, me të cilën përballet Bullgaria”, duke shtuar se do të jetë e rëndësishme që qeveria “të punojë në interes të qytetarëve, jo në interes të status quo-së”.

Vasilev fitoi mandatin pasi Partia e majtë Socialiste Bullgare (BSP), një subjekt politik partner në koalicionin e Petkovit, hodhi poshtë mundësinë për ta mbështetur atë. BSP-ja, tradicionalisht e njohur për afërsinë me Moskën zyrtare, nuk e fshehu zemërimin nga vendimi i Petkovit, për të dëbuar diplomatë rusë. Më 28 qershor, shefi në largim i qeverisë njoftoi se “Bullgaria po dëbon 70 punonjës të ambasadës së Rusisë” që sipas tij “kanë punuar kundër interesave të vendit”.

Më herët, gjatë ditës së djeshme, ambasadorja ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova tha se do t’i kërkojë Moskës mbylljen e selisë diplomatike në kryeqytetin bullgar. Ndërkaq, lërkesën për votimin e mosbesimit ndaj qeverisë bullgare e paraqiti partia opozitare e qendrës së djathtë GERB, e ish-kryeministrit Boyko Borissov, duke e akuzuar ekzekutivin për menaxhim të dobët të financave publike e politikës ekonomike, si dhe për pamundësinë për të frenuar inflacionin në rritje.