Bota

Asgjë e re në bisedimet Amerikë-Rusi për Ukrainën!

Asnjë sukses në bisedimet e sotme për Ukrainën mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Takimi u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës, në një përpjeke të vazhdueshme për të lehtësuar tensionet e ngritura prej javësh, mes shqetësimeve se Rusia do ta pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve për pasoja të rënda. Në fokus të diskutimeve, tentativa që të shmanget një luftë e mundshme në Europë.

Lavrov tha se “shpreson që emocionet të ulen, pas bisedimeve të sinqerta me Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin të hapura e të dobishme”, ndonëse nuk u arrit te ndonjë pikë kthese. As ato të disa ditëve më parë nuk arritën të krijojnë një urë për të tejkaluar ndasitë mes Perëndimit dhe Moskës.

Blinken paralajmëroi për kundërpërgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën, por theksoi se “Uashingtoni mbetet i hapur për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën”. Në Krime e pranë kufijve me Ukrainën, Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.

Rusia mbështet luftëtarët separatistë në një luftë të vazhdueshme në Ukrainën lindore që ka marrë jetën e më shumë se 13 mijë personave që nga 2014-ta, vitin kur aneksoi ilegalisht Krimenë. Më herët, Inteligjenca ushtarake ukrainase ka akuzuar Rusinë se po rekruton në mënyrë aktive “mercenarë” dhe po i dërgon për stërvitje intensive në zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Para bisedimeve Rusi-SHBA në Gjenevë, rusët shprehën një tjetër dëshirë:

Trupat e huaja të NATO-s të largohen nga Rumania dhe Bullgaria, si pjesë e kërkesave të sigurisë që po kërkon nga Aleanca Veri-Atlantike. Rusia dëshiron “tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve” nga vendet që nuk ishin anëtare të NATO-s para vitit 1997, duke përfshirë Bullgarinë e Rumaninë.

Moska është e zemëruar për mbështetjen ushtarake perëndimore për Ukrainën, por mohon planifikimin e një pushtimi, edhe pse shton retorikën luftarake e kërkon një listë garancish sigurie. Kërkesat përfshijnë një premtim nga NATO për të mos pranuar kurrë Ukrainën e për një tërheqje të konsiderueshme të Aleancës nga Europa Lindore.