Aktualitet

Asnjë dëm nga tërmeti në Rrëshen, por njerëz në panik kaluan natën jashtë!

Asnjë dëm material nuk u shënua nga lëkundjet e forta të një nate më parë, që u ndjenë edhe në Tiranë e shumë zona të vendit. Lajmin e konfirmoi Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Sipas IGJEUM-it, Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, tërmeti i orës 22:13 minuta ishte me magnitudë 4.5 Rihter, 10 km në veri-perëndim të Rrëshenit e 16 km në veri-lindje të Shëngjinit në Lezhë, në thellësinë 20 km.

Nga raportimet në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nuk janë regjistruar dëme materiale. Strukturat shtetërore janë në gatishmëri, në ndjekje të situatës.

Nga paniku i krijuar, të shumtë ishin ata që zgjodhën të kalonin natën jashtë në Lezhë duke preferuar të flejnë nëpër makina, nga frika e një tjetër lëkundjeje të fortë në zonë. Edhe në Tiranë kishte njerëz që dolën në rrugë.