Bota

Astra-Zeneca paditet nga BE!

Bashkimi Evropian tha se ka nisur veprime ligjore kundër kompanisë farmaceutike Astra-Zeneca në lidhje me mungesat në dorëzimin e vaksinave kundër koronavirusit. Mungesa e tyre ka shënuar vonesa në procesin e imunizimit në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Diplomatët thanë se çdo proces gjyqësor kundër Astra-Zeneca do të fillojë në një gjykatë belge .

Firma britaniko-suedeze Astra-Zeneca hodhi poshtë akuzat e BE-së si të “pa baza”.

“AstraZeneca ka përmbushur plotësisht marrëveshjen me Komisionin Evropian dhe do të mbrohet fuqishëm në gjykatë”, tha ajo në një deklaratë.

Astra-Zeneca tha se planifikon që të dorëzojë rreth 50 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit në Evropë deri në fund të muajit prill. Por, kjo sasi, sipas Brukselit është shumë më e ulët sesa ajo që parashihej në marrëveshje.

Komisioni tha se kompania ka siguruar vetëm 31 milionë doza nga 120 milionë sa ishte pritur t’i dërgonte në tre muajt e parë të këtij viti.

Diplomatët thanë se çdo proces gjyqësor kundër Astra-Zeneca do të fillonte në një gjykatë belge pasi kështu parashihet në kontratë.