Pasò Sport

Astrit Hafizi: “Vendi i 3-të për ne është mjaft i arrirë edhe pse rrugës kishim shpresa për të shkuar në ‘playoff'”

“Paso” erdhi edhe këtë të premte ashtu siç tanimë e dimë me plot të reja dhe analiza të hollësishme lidhur me futbollin. Me të ftuar në studio tanimë një mike të emisionit, Lenida Halilajn dhe shumë të ftuar në lidhje telefonike, ky episod i “Paso” pati mjaft të reja interesante.

Një ndër profesionistët e kësaj fushe, Astrit Hafizi diskutoi mbi disa tema që u zhvilluan në studio, ku një ndër to ishte dhe propozimi nga “Paso” për turneun futbollistik të fundvitit.

Teksa jemi në pragun e Vitit të Ri dhe kush më mirë se sporti mund t’i mbledhë të gjithë bashkë, të organizohet një turne futbollistik me tre skuadrat e kryeqytetit, përkatësisht Tirana, Partizani dhe Dinamo për një trofe miqësor.

Mbi të gjitha, ky propozim jo vetëm që do të bëjë bashkë gjithë dashamirësit dhe tifozët fanatikë të skuadrave kryeqytetase, por edhe paratë që do të mblidhen do të shkojnë për bamirësi. Denisi propozoi disa vende ku mund të dërgohen disa shuma financiare. Kjo ide jo vetëm do krijonte një atmosferë shumë festive në prag fundviti, por edhe do të mbartte një kauzë shumë të rëndësishme.

Çfarë mendimi ka për këtë profesor Hafizi?

Dikur është bërë një aktivitet i tillë para shumë vitesh mes kombëtares së kryeqytetit dhe rretheve. Kam qenë me Shkëndijën asokohe, u bashkuam bashkë dhe bëmë një aktivitet. Si ide nuk është e keqe, por këtu te ne nuk kemi besim te asnjë. Kjo është një gjë shumë e bukur.

Teksa, Shqipëria u rendit e treta me 18 pikë, Hafizi tregon mendimin e tij lidhur me këtë pozicionim të Kombëtares.

Për mua është mjaft i mirë dhe i arrirë. Ishte objektivi kryesor, pavarësisht se rrugës kishim shpresa për të shkuar në ‘playoff’. 

Edi Reja, trajneri aktual i Kombëtares tonë, Hafizi tregon se sipas tij a po e bën ai rolin e tij siç duhet?

Këto shkarkimet e trajnerave nuk më pëlqejnë se jam vetë trajner dhe i kam kaluar në kurriz. Unë e kam shprehur vazhdimisht, loja e Kombëtares nuk më ka lënë asnjë ndjenjë, asnjë emocion. Duhet intelekti dhe fantazia dhe këto nuk i kam parë nga ky ekip. Luan një lojë spontane që nuk më ka tërhequr. Një trajner kur largohet duhet të lëjë një gjurmë, që ai tjetri kur të vijë të gjejë diçka gati. Mendoj që Reja do ta japë dorëheqjen vetë.