Aktualitet

Atentat me armë zjarri në Shijak, shpëton shënjestra e sulmit!

Një shtetas i identifikuar si Orland Paplekaj, sot i shpëtoi mrekullisht një atentati me armë zjarri, në rrugën dytësore në Shijak. Mësohet se 31-vjeçari drejtonte një kamionçinë me bombola gazi në momentin kur ndaj tij u qëllua nga një makinë në lëvizje, tip “Golf”. Kjo bëri që të humbiste kontrollin e automjetit e të dilte nga rruga, por fatmirësisht pa lëndime.

Për momentin janë të paqarta motivet e sulmit ndërsa bëhet e ditur se shënjestra e atentatit punonte si shpërndarës i bombolave të gazit. Babai i tij është efektiv në Policinë e Durrësit, por përjashtohet pista që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e të atit.

Uniformat blu kanë ngritur disa postblloqe në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Në rrugën dytësore Xhafzotaj-Shijak, rreth orës 12:10, nga një automjet tip “Golf”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Kamionçinë”, që drejtohej nga shtetasi O.P. Si pasojë e të shtënave nuk ka persona të lënduar. Drejtuesi i kamionçinës ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga, por pa pësuar dëmtime fizike drejtuesi i mjetit.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët kryesore e dytësore, si dhe kanë rrethuar zonën. Vijon krehja e saj për kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve.