Aktualitet

Atentat me bombë të telekomanduar makinës në Tiranë, humb jetën drejtuesi/Mjeti ishte në lëvizje!

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar sot në Tiranë ku në aksin “Sauk Teg”, një makine në ecje i është vënë eksploziv. Drejtuesi i mjetit, 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj ka ndërruar jetë. Sadikaj ishte nga Berati dhe në automjetin e shkatërruar nga forca e shpërthimit udhëtonte i vetëm, i pashoqëruar nga pasagjerë. Po ashtu, mësohet se në të kaluarën ka qenë i proceduar si i përfshirë në një tentativë vrasjeje, gjë që ka orientuar grupin e hetimit të hetojë te kjo pistë e mundshme për të hedhur më shumë dritë mbi krimin.

Njoftimi paraprak i policisë fliste për një të plagosur në gjendje të rëndë, por më pas, në një njoftim të dytë zyrtar për ngjarjen e ndodhur në orën 13 e 35 minuta, uniformat blu saktësuan se i lënduari ndërroi jetë. Po ashtu u mësua se i riu Aleksandër Sadikaj arriti të dilte vetë nga makina para se të transportohej për në spital, ku nuk arriti t’i mbijetonte dëmtimeve të shumta në pjesë të ndryshme të trupit.

Në lidhje me lajmin e dhënë pak më parë se në afërsi të TEG-ut, në  automjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A. S. ka shpërthyer, dyshohet lëndë eksplozive, ju informojmë se: Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S. ka ndërruar jetë në spital.  Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Dyshohet se 150 gramë tritol ishin vendosur në pjesën e përparme të makinës me të cilën lëvizte viktima. Pas shpërthimit, një re e dendur tymi mbuloi zonën.  Në vendngjarje shkoi kreu i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj. Për grumbullimin e sa më shumë provave u sekuestruan edhe kamerat e sigurisë së një karburanti në afërsi të zonës ku ndodhi shpërthimi me pasoja fatale. Momentalisht aksi Tiranë-Elbasan është i bllokuar, ndërsa u devijua rruga për qarkullimin e mjeteve.