Aktualitet

Atentati mafioz me 1 të vrarë e 1 të plagosur në Milot, autorët i pritën 10 minuta në rrugicën ku banonin!

Vazhdojnë hetimet për atentatin e mbrëmshëm mafioz, me një të vdekur dhe një të plagosur, në qendër të Milotit. Viktimë e atentatit me armë zjarri mbeti Klisman Preçi, 28-vjeç, ndërsa 46-vjeçari Ylli Brahimi që ndodhej me të, mori dëmtime të rënda në brinjë e në këmbë dhe ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u dërgua me urgjencë.

Ngjarja ndodhi në hyrje të një pallati, ku ndaj tyre u qëllua nga një makinë në lëvizje teksa sapo kishin zbritur nga automjeti tip “Toyota Land Chrysler”, i blinduar. Makina ishte me targa të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Ndërkohë, një “Audi” i djegur e që dyshohet se u përket atentatorëve u gjet në Gramëz të Krujës, bashkë me dy armë tip kallashnikov në brendësi.

Autorët kanë ndjekur lëvizjet e shënjestrave dhe pritën 10 minuta për Klisman Preçin e Ylli Brahimin, të cilët banonin në të njëjtin pallat e para se të qëlloheshin me armë, vinin nga një lokal në qendër të Milotit, jo shumë larg banesave të tyre. Preçi e Brahimi rezultojnë persona me precedentë të mëparshëm penalë e në të kaluarën, secili iu ka shpëtuar atentateve. Preçi, më 14 maj të këtij viti, në dalje të Lezhës ndërsa Brahimi, mbi një vit më parë, më 12 janar 2021. Më 2003-shin, mësohet se 46-vjeçari ishte dënuar për trafik droge e gjithashtu është marrë në pyetje për vrasjen e nëntorit të kaluar në Laç të ish-policit Xhelal Reçi.

Atentati i mbrëmshëm pason ngjarjen e rëndë të së dielës së kaluar te mbikalimi i Fushë Krujës, me pasojë vdekjen e Brilant Martinajt, Diklen Vatës e Besmir Hoxhës. Atyre iu bë pritë kur po udhëtonin me një Wolkswagen Passat nga Fushë-Kruja, në drejtim të Laçit, në një sulm të mirëorganizuar.