Aktualitet

Atentati me tre viktima në Fushë Krujë, policia jep 3 milion lekë për informacione të vlefshme!

Vazhdojnë hetimet lidhur me atentatin mafioz të një dite më parë në Fushë Krujë, ku mbetën të vrarë kushërinjtë Diklen Vata e Brilant Martinaj, si dhe shoku i tyre Arbër Hoxha, që të tre nga Kurbini e ishin me precedentë penalë. Në një sulm të mirëorganizuar, rreth 60 plumba u derdhën ndaj makinës Wolkswagen Passat, me të cilën udhëtonin nga Fushë-Kruja për në Laç. Vetëm njëri prej tyre arriti të dalë nga automjeti që mori flakë e nuk pati të mbijetuar. Në kuadër të këtyre hetimeve, policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni në lidhje me atentatin. Ndërkohë, makina e përdorur nga autorët u gjet e djegur në fshatin Larushk pranë Fushë Krujës e në brendësi u zbuluan dy kallashnikovë e një armë automatike MP5.

Në njoftimin zyrtar theksohet:

Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milion lekë të rinj.

Policia apelon që cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.