Aktualitet

Atentati në Fier, për ekzekutimin e Demir Backës po hetohet pista e hakmarrjes!

Dalin të tjera detaje lidhur me krimin e rëndë që mbrëmë tronditi Fierin, vrasjen e Demir Backës, pranë një qendre tregtare. 57-vjeçari u qëllua për vdekje nga një automjet në lëvizje, ndërsa gjendej brenda një makine “Audi”, të parkuar.

Më pas, në një makinë të djegur tip “Benz C-Class”, të gjetur në fshatin Daullas, në afërsi të Bypass-it të Fierit, policia zbuloi 2 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur nga autorët për ekzekutimin: një kallashnikov dhe një pistoletë. Ato u dërguan në laborator për ekzaminim, si dhe në vendin e ngjarjes u sekuestruan 16 gëzhoja.

Pista e hakmarrjes dhe konfliktet që mund të kenë sjellë prishje të ekuilibrave me persona me ndikim në Fier, dyshohet se kanë qenë shkaku i ekzekutimit. Policia është përqëndruar në të kaluarën e Demir Backës, i cili fillimisht u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por më pas ndërroi jetë duke mos i mbijetuar plagëve.

Nga monitorimi i kamerave të sigurisë, del se në atentat morën pjesë dy persona. 57-vjeçari, pronar i një lokali, ishte vëllai i ish-anëtarit të Bandës së Fierit, Medi Backës, i cili u vra në vitin 1997.