Aktualitet

Atentati në Milot, të paktën 30 të shoqëruar!

Grupe kriminale në vend vazhdojnë të marrin hak mes tyre, thuajse me të njëjtën skemë, me automjete të vjedhura që digjen pas atentatit, duke lënë kallashnikovët e përdorur. Por, prokuroritë e Lezhës e të Krujës, ende nuk janë në gjendje të thonë nëse hetimin e krimeve në këtë perimetër do t’ia kalojnë SPAK-ut, që gjithashtu ka kompetencë të hetojë krimin e organizuar në vend. Në 5 ditë, plumbat u kanë marrë jetën 4 personave në Shqipëri.

Më i fundit ishte atentati mafioz i një nate më parë në Milot, me një viktimë e një të plagosur. Kur ende nuk ka autorë për sulmin me tre vrarë të së dielës së kaluar në mbikalimin e Fushë-Krujës, mbrëmë në Milot u qëllua për vdekje Klisman Preçi 28-vjeç dhe është në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, Ylli Brahimi. 46-vjeçari mori dëmtime në gjoks e në këmbë. Dyshohet për tre atentatorë, një në timon dhe dy që qëlluan. Ndërkohë, “Audi” i përdorur nga autorët u gjet i djegur në Borizanë të Krujës, me dy kallashnikovë brenda makinës.

Sapo zbritën nga një automjet i blinduar, Preçi e Brahimi u përballën me breshërinë e plumbave në sheshpushimin e pallatit ku banonin në Milot. Ata janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare, për grabitje me armë e trafik droge, ndërsa më parë iu shpëtuan dy atentateve. 46-vjeçari Brahimi rezulton të jetë marrë edhe në pyetje për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi në Laç, nëntorin e kaluar.

Duke qenë se më parë iu shpëtuan atentateve: Preçi në maj të këtij viti dhe Brahimi në janar 2021, që të dy kishin shtuar masat e sigurisë. Ata lëviznin me makina të blinduara e në pallatin ku jetonin ka kamera sigurie në çdo cep. Pamjet e tyre u sekuestruan dhe po vëzhgohen nga Policia. Deri tani janë shoqëruar rreth 30 vetë, kryesisht me precedentë në zonën ku ndodhi krimi, si dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Opozita reagoi në lidhje me situatën e kriminalitetit. Shefi i Organizimit i Partisë Demokratike, Klevis Balliu deklaroi:

Banditë të ndryshëm lajnë hesapet në rrugët e vendit, duke rrezikuar jetën e gjithkujt. Tritoli, dinamiti, plumbat janë sot përditshmëria e shoqërisë tonë.  Djem të rinj po vriten çdo ditë, pasi krimin e shohin si alternativë për jetën.  Krimi sot nuk shihet si armik, por si një mënyrë për pushtet, për para’, pasi nën qeverinë e Ramës, krimi u fut në Parlament, në Bashki e në çdo drejtori.