Bota

Australi, edhe kryeministër edhe ministër i fshehtë pesë dikastereve/Scott Morrison në fokus të një skandali!

Një raport i publikuar kohët e fundit përmban kritika të ashpra ndaj ish-kryeministrit australian, Scott Morrison për faktin se në mënyrë të fshehtë u vetemërua në krye të pesë ministrive, pa vënë në dijeni as anëtarët e kabinetit të tij qeverisës. Ai e pranoi të ketë ndodhur diçka e tillë. Dokumenti u hartua nga ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë australiane Virginia Bell. Në të thuhet se veprimet e Morrisonit dëmtuan besimin te qeveria.

Gjatë gjithë periudhës së pandemisë së COVID-19, nga 2020-ta e deri në vitin 2021, pa dijeninë e askujt, Morrison nisi të drejtojë ministritë e Punëve të Brendshme, Thesarit, Shëndetësisë, Financave dhe atë të Burimeve Natyrore.

Në një koment të bërë më parë prej tij mbi këtë çështje, shprehej se po “drejtonte anijen” e qeverisë në një kohë të jashtëzakonshme, të krijuar nga pandemia koronavirus.

Por, në raportin e hartuar, Bell shkruan se “vetemërimet e Scott Morrisonit kishin pak ose aspak lidhje me COVID-in”. Ajo bën gjashtë rekomandime për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë australiane, mes tyre hartimin e ligjeve të reja për të bërë publike të gjitha ndryshimet në postet ministrore. Qeveria e kryeministrit Anthony Albanese u zotua se do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet.

Një ditë më parë, kryeministri Albanese u tha gazetarëve në Canberra se “veprimet e paraardhësit të tij ishin skandaloze, të pashembullta e të gabuara”. Ai shtoi se kanë qenë anëtarët e ish-qeverisë apo opozitës aktuale, ata që e bënë të mundur funksionimin e kësaj kulture fshehtësie.

Scott Morrison, i cili tashmë është deputet i opozitës, mund të përballet me masa ndëshkimore në Parlamentin Federal. Në një deklaratë të dhënë dje, nënvizoi se i mirëpret rekomandimet e Virginia Bell dhe falënderoi ish-gjykatësen për kryerjen e këtij hetimi.

Ndërkohë, nënkryetarja e Partisë Liberale në opozitë u tha gazetarëve se ajo do të mbështesë rekomandimet ligjore që propozohen në raport.