Bota

Australia hap kufijtë, optimizëm për turizmin në vend!

Australia ka hapur kufijtë me ndërkombëtarët për herë të parë në gati dy vjet. Kjo ka sjellë entuziazëm te vendasit, ndërsa pritet të nxisë turizmin.

Australia që prej marsit të 2020 u mbyll për shkak të COVID-19, duke mos lejuar që udhëtarë të hyjnë në vend, përveçse për motive serioze. Kështu, akoma edhe shumë australianë mbeten jashtë vendit për një kohë të gjatë.

Australianët u lejuan të ktheheshin në vend nga fundi i vitit të kaluar, por shumicës së të huajve u është dashur të presin.

Të hënën pati ribashkime familjesh në aeroportin e Sidneit, ndërsa qindra njerëz mbërritën me fluturimet e para.

Një vajzë e re, Charlotte, ndau një përqafim emocional me gjyshin e saj. Ajo tha për gazetarët:

“Më ka munguar aq shumë dhe e kam pritur me padurim këtë udhëtim, për kaq gjatë.”

Udhëtarët e vaksinuar nuk kanë nevojë të karantinohen, por të pavaksinuarit duhet të karantinohen 14 ditë në një hotel, me shpenzimet e tyre.

Më shumë se 50 avionë mbërritën të hënën në Australi.

Tashmë udhëtarët mund të hyjnë në të gjitha shtetet, përveçse në Australinë Perëndimore që mbetet e mbyllur deri më 3 mars, kur do të kërkojë që udhëtarët të hyjnë në vend me tre doza të vaksinës kundër COVID.

“Çfarë lajmi i mrekullueshëm për industrinë tonë të turizmit dhe 660,000 personat e punësuar në këtë industri”, tha ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Investimeve Dan Tehan.

Australia pati rreth 9.5 milionë vizitorë ndërkombëtarë në vitin 2019.

Masat e rrepta kundër pandemisë në vend, nxitën kritika për “ndarje familjesh dhe shkatërrim biznesesh”, por edhe u vlerësuan pasi parandaluan shumë vdekje përpara se vaksinimi të bëhej i mundur.

Australia raporton se ka pasur rreth 4,900 vdekje nga COVID, që prej fillimit të pandemisë.