Bota

Austria miraton ligjin për eutanazinë!

Në përgjigje të një vendimi të gjykatës se ndalimi shkel të drejtat themelore të qytetarëve, Parlamenti austriak miratoi sot një ligj që legalizon eutanazinë e asistuar për njerëzit që vuajnë nga një sëmundje e rëndë ose e pashërueshme.

Një vit më parë, Gjykata Kushtetuese i kërkoi qeverisë të rishikonte ligjin që parashikonte deri në pesë vjet burg për këdo që ndihmonte dikë të vdiste.

Sipas tekstit të ratifikuar nga të gjitha palët, përveç FPO-së së ekstremit të djathtë, të rriturit që janë në fazën përfundimtare të sëmundjes së pashërueshme ose gjendjes mjekësore që shkakton paaftësinë e tyre të përhershme dhe të pakthyeshme mund të marrin ndihmë për t’i dhënë fund jetës së tyre.

Dy mjekë do të duhet të shikojnë secilin rast individualisht dhe të gjykojnë nëse pacienti është në gjendje të marrë vendime.

Do të ketë gjithashtu një periudhë prej 12 javësh deri në zbatimin e vendimit, për të siguruar që kërkesa të mos jetë bërë në mes të një krize të përkohshme.

Nëse pacienti është në fazën e fundit të sëmundjes, afati kohor do të reduktohet në dy javë.

Ligji respekton dinjitetin njerëzor, tha ministrja e Drejtësisë Alma Çadis, por në të njëjtën kohë garanton se ” askush nuk do të zgjedhë rrugën e vdekjes nëse ka mundësi të tjera “.

Për këtë qëllim është miratuar një buxhet prej 108 milionë eurosh.