Rajoni

Autobusi me targa të Kosovës i aksidentuar në Austri, saktësohet se janë 8 të lënduar!

Në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës saktëson se tetë persona morën ndihmë mjekësore në Salzburg të Austrisë, pas aksidentimit të një autobusi me targa të Kosovës. Shtatë prej të plagosurve dolën nga spitali, ndërsa një tjetër vazhdon të ndodhet në mbikëqyrje mjekësore.

Deri tani mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë dhe shtatë nga tetë personat e lënduar u trajtuan dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. MPJD do t’ju mbajë të përditësuar në vazhdimësi për rastin.

Gjithashtu, MPJD bëri të ditur se “ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po iu ofruan mbështetjen e ambasadës së Kosovës të gjithë të lënduarve e familjeve të tyre”.

Mediat austriake raportuan se në orën 03:00 të mëngjesit, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri. Automjeti i përket kompanisë “Armend Tours”.

Njoftimet paraprake ishin për 19 të lënduar, tre prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Kryqi i Kuq dhe ekipet e zjarrfikësve shkuan në vendin e ngjarjes menjëherë pas aksidentit.

Nga hetimet paraprake, rezulton se autobusi me targa të Kosovës u përplas me mbrojtësen prej betoni të autostradës. Aty udhëtonin 25 pasagjerë. Të gjithë të lënduarit u dërguan në një spital publik në Salzburg. Vendi ku ndodhi aksidenti u mbyll për qarkullimin e makinave e autobusi nuk do të spostohet nga vendngjarja pa u mbyllur të gjitha procedurat në kuadër të veprimeve hetimore.