Aktualitet

Autor i dyshuar i dy sulmeve me eksploziv më 2020-ën, pranga 33-vjeçarit në Shkodër!

Në Shkodër, një 33-vjeçar ra në prangat e policisë, i dyshuar si autor për vendosjen e eksplozivit në banesat e një punonjësi policie, si dhe të një qytetari,  në vitin 2020. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesazhi”, në pranga ra shtetasi Dedë Nika.

Njoftimi zyrtar:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesazhi”, i zhvilluar me metoda speciale të hetimit. Pas një muaji hetimesh intensive, të zhvilluara nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, zbardhen dy ngjarje të ndodhura në vitin 2020, me lëndë eksplozive.

Vihet në pranga një 33-vjeçar i dyshuar për vendosje të eksplozivit në banesën e një punonjësi Policie, si dhe në banesën e një qytetari. Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të punës hetimore  të kryer, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve, bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, bënë të mundur grumbullimin e provave, për një autor të dyshuar të dy ngjarjeve me eksploziv, të ndodhura në vitin 2020.

Bazuar në provat e grumbulluara  nga hetimi,  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin D. N., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake shpërthyese”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesazhi”, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i 33-vjeçarit, i dyshuar si autor i vendosjes së lendës eksplozive, e cila ka shpërthyer në banesën shtetasit P. M., me detyrë oficer Policie ne Komisariatin e Policisë Shkodër, dhe në banesën e shtetasit Z. B., ngjarje të ndodhura në datë 4 Janar 2020, në qytetin e Shkodrës. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër, po punojnë intensivisht për identifikimin e bashkëpuntorëve të mundshëm, si dhe për  zbardhjen e ngjarjeve të tjera të kësaj natyre, ndodhur kohët e fundit.

Policia e Shkodrës garanton qytetarët se është e vendosur për të goditur , çdo person apo grup kriminal që cënon jetën dhe pronën e  qytetarëve, dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë, për të krijuar një ambient sa më të sigurt.