Bota

Autoritetet belge thyejnë aplikacionin “Sky”, zbulohen mesazhet e koduara të trafikantëve të dyshuar të drogës për disa vite.

Policia bastisi mbi njëqind banesa mëngjesin e sotëm si pjesë e një aksioni për të gjurmuar dhe goditur trafikantët e kokainës.

Ndryshe nga aksioni i zhvilluar një ditë më parë kur vëmendja e policisë u përqendrua në Antwerp, sot hetuesit janë fokusuar tek pronat në Bruksel. Bastisjet u bënë të mundura pasi policia fitoi akses në mesazhet e dërguara nëpërmjet telefonave të koduar “Sky ECC” në Operacionin Sky.  “Sky ECC” është një aplikacion komunikimi i cili përdoret nga grupet kriminale por që së fundmi është arritur të thyhet nga autoritetet.

Policia ishte në gjendje të lexonte mesazhet e koduara të dërguara nga trafikantët e dyshuar të drogës për disa vite.  Hetimi shkaktoi një seri arrestimesh spektakolare edhe në mars.   Policia po vijon ndjekjen duke shkatërruar disa rrjete droge dhe duke arrestuar.

Dhjetë persona disa prej të cilëve punonin për kompani portuale u arrestuan në Antwerp të hënën. Ata dyshohet se kanë futur drogën në vend nëpërmjet portit.  Një bandë e madhe droge u çmontua gjithashtu pas arrestimeve në disa lokacione.

Me zhvendosjen e aksionit policor drejt Brukselit, mafia shqiptare besohet se është në sy të hetuesve.

Sipas mediave të huaja, Mafia shqiptare po luan një rol në rritje në trafikun e kokainës përmes portit të Antëerp-it dhe trafikimit të njerëzve drejt Britanisë së Madhe, ku Belgjika është një vend tranzit. Në mars të vitit të kaluar, hetuesit belgë udhëtuan në Shqipëri për të forcuar bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë.

“Organizata mendohet se është përfshirë në importin e të paktën 1.3 ton kokainë me vlerë rrugore mbi 50 milionë euro”, thuhet në mediat e huaja.

Shtatëdhjetë përqind e hetimeve në Antwerp janë aktualisht me indicie për hetimin e Sky ECC, ndërkohë raportohet se janë gjithsej 194 dosje.