Showbiz

Ava Max zbulon tmerrin e përndjekjes nga fansi

Amanda Koçi, e njohur me emrin e artit Ava Max është një nga artistet më fitimprurëse të këtij viti.

Hiti i saj muzikor “Sweet but Psycho”, pjesë e albumit “Heaven & Hell” ka thyer rekord duke u dëgjuar më shumë se 1 miliardë herë në platformën “Spotify”.

E krahasuar herë pas here me yllin e muzikës Lady Gaga sa i përket fuqisë vokale, Ava është këngëtarja më e pëlqyer e momentit. Së fundmi asaj i është dashur të përballej me pasojat e famës së saj.

Në një intervistë për “Rain Mag”, Ava ka zbuluar për herë të parë se si një fans e ka përndjekur për javë të tëra. 26-vjeçarja u shpreh se një djalë mori rrugët nga Franca për të takuar këngëtaren.

Personi në fjalë shfaqej herë pas herë në shtëpinë e artistes me tufa të mëdha trëndafilash e megjithëse deri këtu nuk ka asgjë për t’u trembur, takimet e tij por bëheshin çdo herë e më pak të rastësishme.

Ava shtoi se djali mori guximin për të trokitur në shtëpinë e saj dhe të prindërve për ta takuar personalisht pa u ndrojtur fare. Ishte mamaja e saj ajo e cila u detyrua disa herë ta gënjente duke i thënë se në këtë shtëpi nuk ka asnjë person me emrin Ava.

“Mamaja ime nisi të bëjë humor, duke ma ngatërruar qëllimisht emrin. Kur hapi derën, fansi e pyeti për mua, ndërsa ime më iu përgjigj: ‘Kërkon Pava-n?’” – ka treguar më tej këngëtarja.

Ava Max tregoi se nuk e ka përjetuar mirë këtë përndjekje por duke marrë parasysh famën e saj është munduar ta kalojë lehtë dhe të pranojë se situata të tilla do të ketë shpesh.