Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Bota

Avioni i rrëzuar në Milano, kulla e kontrollit pyeti pilotin miliarder për devijimin!

Përse u devijuat? Për të shmangur një turbulencë?

Ky ishte kontakti i fundit në radio mes Qendrës së Kontrollit të Linates e avionit të rrëzuar dje në San Donato Milanese ndërsa piloti u përgjigj me një “jo” të thatë. Menjëherë më pas, mjeti fluturues u zhduk nga radarët.

Në 13:07, tre minuta pas ngritjes në ajër, avioni ultra i lehtë ka nisur të humbasë lartësi me 25-30 metra në sekondë. Motivet po hetohen nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë e Fluturimit në Itali.

Sipas mediave italiane, mjeti fluturues me pilot miliarderin rumun Dan Petrescu u zhduk nga monitorët, pa dhënë alarm e pa kërkuar të rikthehej me urgjencë në aeroport. Analiza e kutisë së zezë pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet e tragjedisë ajrore të një dite më parë me 8 viktima, mes tyre një fëmijë. Nuk përjashtohet mundësia që piloti të jetë çorientuar në mes të reve dhe një hipotezë tjetër ka të bëjë me problemet në motor. Për 16 humbi lartësi derisa u përplas me një ndërtesë.

Në orën 12:52 të datës 3 tetor, Pilatus Pc-12 rumun u lëviz nga parkimi i Linate Prime, terminali i fluturimeve private, për t’iu drejtuar pistës 36.

Ora 13:04:08, avioni ngrihet në fluturim dhe devijimi i parë i fluturimit regjistrohet mbi Metanopoli, në San Donato Milanese.

Ora 13:07:40, fluturon me 293 km në orë, në lartësinë 1.631 metra. Dy sekonda më pas, zbret në 1.615 metra e shpejtësia rritet në 303 km në orë.

68-vjeçari Dan Petrescu, i cili humbi jetën me gruan 65-vjeçe, djalin 30 studiues në Kanada e 4 miq, ishte një prej njerëzve më të pasur të Rumanisë, me ndikim në tregun e pronave të patundshme dhe me pasuri 3 miliard euro. Ai mbante edhe shtetësi gjermane, vend ku kishte emiguar në vitet e komunizmit në Rumani. Familja Petrescu e miqtë e tyre, po drejtoheshin për në Olbia ku në një vilë që rumunët kishin në pronësi, i priste nëna 98-vjeçe e kryefamiljarit Dan.