Aktualitet

Avokatët e Durrësit i bashkohen protestës, bojkot deri më 29 qershor!

Pas disa ditësh pezullim, 244 avokatët e Dhomës së Durrësit i janë bashkuar bojkotit kombëtar.

Kreu i Dhomës Vendore të Avokatisë tha se ky bojkot do të zgjasë deri më 29 qershor.

“Është vendosur për datat 27, 28 dhe 29 qershor”, tha Kreu i DHVAD, Lorval Petani. Ky i fundit shpjegon përse vendosën këtë datë dhe çfarë do të ndodhë në gjykatë gjatë këtyre ditëve.

“Është vendosur të bojkotohen edhe veprimet proceduriale hetimore në prokuroritë e rretheve gjyqësore Durrës dhe Kavajë. Më datë 29 është thirrur Asambleja e Përgjithshme e Dhomës kKombëtare e Avokatisë. Do merret vendimi përfundimtar si dhe qëndrimi definitiv i Dhomës Kombëtare të Avokatisë”, u shpreh ai.

Për Petanin, heqja e 2 gjykatave do të ndikojë negativisht.

“Do sjellë problematika në tejzgjatjen pafund të gjyqeve, shmang aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe vonohen proceset gjyqësore”, sipas tij.

Në këto kushte, avokatët kanë disa sugjerime.

“Të pritet fillimisht të bëhet reforma territoriale. Ne kemi kërkuar të pezullohet harta gjyqësore dhe të eci përpara harta territoriale”, theksoi Petani.

Nga harta e re gjyqësore, Durrësi humb Gjykatën e Apelit dhe atë Administrative.

Largimi i këtyre gjykatave i bashkohet shumë prej shërbimeve të tjera të spostuara tashmë në kryeqytet, si ato të Tatimeve dhe Kadastrës.