Aktualitet

Avokatët e Lefter Kokës kundër masës së dytë të sigurisë/Nesër vendimi nga Apeli GJKKO-së!

Avokatët e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhanë sot një deklaratë për mediat, duke kundërshtuar që t’i jepet një masë e dytë sigurie nga gjykata. SPAK-u e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, duke përfituar 3.7 milion euro lidhur me dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Me provat e deritanishme, gjithashtu hetuesit kanë arritur të faktojnë se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në vlerën 1.2 milion euro. Sipas SPAK-ut, në total janë rreth 5 milion euro nga të dy inceneratorët.

Avokati Përparim Kulluri:

Në rastin konkret kemi një masë të dytë të vendosur nga gjykata, të kërkuar nga Prokuroria, që nuk është e zakontë për ne. Eshtë cënim i të drejtave të njeriut. Shpresoj të ketë reflektim. I bashkohem mendimit që këto dy masa i përkasin të njëjtin fakt penal dhe do të duhet të ishin bashkuar.

Vendimi i gjykatës shpallet për shkak të kompleksitetit. Do të shpallet nesër në orën 10:00. Kushtet janë më të lehtësuara. Gjykata do të vlerësojë se prokuroria i ka të gjitha provat. Nuk kemi një ekspertim të tillë sa i takon pretendimit për çështjen e korrupsionit. Po ashtu dhe rreziku i ikjes është i pamundur.

Jeni duke kërkuar një bashkëpunëtor që në caktimin e masë së parë. Ai s’ka pse të pendohet apo të bëhet bashkëpunëtor. Të jesh i hapur për organin e akuzës dhe pafajësinë tende, s’do të thotë se je bashkëpunëtor. SPAK-u i ka të gjitha mjetet që të kërkojë dhe të gjejë bashkëpunëtor, por jo te Lefter Koka, por te persona të tjerë. Ata mund të sigurojnë cigare apo veshjet e stinës.

Tashmë, nesër pritet vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO. Ndërkohë, po për çështjen e inceneratorëve është në burg edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.